SHBA dëbon 24 diplomatë rusë
Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara thotë se Uashingtoni ka urdhëruar 24 diplomatë rusë të largohen nga vendi deri më 3 shtator, një veprim që vjen menjëherë pasi SHBA-ja tha se kishte pushuar nga puna gati 200 punonjës vendas që punonin për misionet e saj diplomatike në Rusi.
Ato janë më të fundit në një seri masash të marra nga të dyja palët që kanë tensionuar marrëdhëniet SHBA-Rusi, megjithëse Departamenti i Shtetit mohoi se masat ishin hakmarrëse.
Në një intervistë me revistën The National Interest, ambasadori Anatoly Antonov tha se ambasada mori një listë prej 24 diplomatësh rusë që pritet të largohen nga SHBA deri më 3 shtator, raporton ap.
“Pothuajse të gjithë ata do të largohen pa zëvendësime sepse Uashingtoni i ka ashpërsuar papritur procedurat e lëshimit të vizave”, tha Antonov.
Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price konfirmoi se diplomatët pritet të largohen nga SHBA, por hodhi poshtë karakterizimin e situatës nga Antonov si “të pasaktë”.
Ai tha se skadimet nuk ishin të lidhura me situatën me stafin lokal në objektet diplomatike amerikane në Rusi.