Shaqiri-Nedellkov: SASHK mbetet partner i fuqishëm i MASH në zbatimin reformave
Shkup, 9 shkurt – Mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional janë hallka më e rëndësishme në realizimin e procesit arsimor, prandaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën përpjekje maksimale për vlerësimin dinjitoz të punës së tyre dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe kryetari i SASHK-ut Jakim Nedelkov sot në një takim pune diskutuan për këtë temë të rëndësishme dhe vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm të deritanishëm, njoftoi MASH.
Siç informon Ministria, në takim ministri Shaqiri theksoi se sindikata mbetet një partner i fuqishëm i MASH në realizimin e të gjitha proceseve reformuese, të cilat ndër të tjera parashikojnë forcimin dhe avancimin e kuadrit mësimor.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar në vazhdimësi zotohet për vlerësimin e punës së mësimdhënësve, gjë që është paraparë edhe me ndryshimet ligjore që janë në procedurë parlamentare. Siguria ekonomike dhe juridike e mësuesve për Qeverinë është në krye të prioriteteve për të cilat është përgatitur një ligj që garanton këto të drejta të stafit mësimdhënës dhe bashkëpunëtorëve profesional”, kumtoi MASH.
Në takim, siç citohet në njoftim, kryetari i SASHK-ut, Nedelkov shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe paralajmëroi se edhe në të ardhmen sindikata do të vazhdojë dialogun me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

