Shaqiri: Ndërtojmë sistem arsimor që të rinjtë I orienton drejt respektimit të diversitetit

Shkup, 24 mars – Koncepti i ri i arsimit fillor, plan- programet dhe tekstet shkollore të cilat i parasheh, ndërsa zhvillohen në faza, i orientojnë gjeneratat në vend të intolerancës ndëretnike, mospajtueshmërisë, gjuhës së urrejtjes e kështu me radhë, të fokusohen pikërisht në të kundërtën, potencoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në seancën e Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive.

Në seancë u prezentuan rezultatet e studimit të titulluar “Gjuha e urrejtjes si valutë e nacionalizmit: Përgjigje institucionale në Maqedoninë e Veriut”, realizuar nga Instituti për Demokraci.

Sipas ministrit, ndërgjegjësimi se përdorimi i gjuhës së urrejtjes mund të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërmjet individëve, grupeve më të vogla dhe grupeve më të mëdha shoqërore dhe të prishë paqen në vend, po rritet gjithnjë e më shumë.

“Kështu arritëm që të shndërrohemi nga një shoqëri në të cilën në fillim të mijëvjeçarit të dytë, pikërisht për shkak të intolerancës etnike dhe gjuhës së urrejtjes të nxitur nga nacionalizmi, ndodhi edhe konflikti ushtarak, në shoqëri paqësore, e cila është një dhe e barabartë për të gjithë”, shtoi Shaqiri.

Siç potencoi ministri, ky transformim i shoqërisë nuk ka ndodhur vetvetiu, gjegjësisht faktori kohë nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse jo vetëm institucionet e sistemit, por edhe shoqëria civile, organizatat civile dhe ndërkombëtare dhe të gjithë pjesëmarrësit e interesuar, nuk kishin ndërmarrë dhe nuk ndërmarrin hapa konkretë dhe aktivitete për të ndërtuar mjedis jetese harmonik në të cilin të gjithë do të ndihen të barabartë.

Ai informoi se ndryshimet që po bën Ministria e Arsimit dhe Shkencës në arsimin fillor për momentin, ndër të tjera janë bazuar në këto vlera.

“Koncepti i ri i arsimit fillor, plan- programet dhe tekstet shkollore të cilat i parasheh, ndërsa zhvillohen në faza, i orientojnë gjeneratat në vend të intolerancës ndëretnike, mospajtueshmërisë, gjuhës së urrejtjes e kështu me radhë, të fokusohen pikërisht në të kundërtën.”Sepse vetëm kështu do të përgatiten si njerëz të mirë dhe qytetarë paqësorë, të cilët në diversitet do të shohin avantazhin dhe mundësinë e bashkimit, e jo barrierat dhe arsyet për cenimin e marrëdhënieve të caktuara personale apo shoqërore, përkatësisht marrëdhëniet ndërmjet individëve dhe grupeve”, potencoi Shaqiri.

Më pas, përmendi se fokusi është edukimi i të rinjve për njohjen e lajmeve të rreme, sepse, siç tha ai, gjithmonë do të ketë individë që janë pro ose thjeshtë duan të prishin marrëdhëniet ndëretnike, ndaj duke krijuar të pavërteta dhe duke i publikuar ato do të mundohen të përfitojnë aleatët në përpjekjet e tyre për të krijuar një atmosferë të tensionuar.