Shaqiri: Ëmbla rikthehet me shoqet e klasës, të ngritet vetëdija për fëmijët me nevoja të posaçme

Shkup, 3 shkurt – Nxënësja e klasës së katërt Ëmbla Ademi nga Gostivari është përsëri në mesin e nxënësve në SHF “Bashkimi”. Ajo nuk e ka filluar gjysmë vjetorin e dytë në klasën e saj për shkak të bojkotit të prindërve të nxënësve nga paralelja të cilët janë ankuar për agresivitet nga kjo 11 vjeçare me Sindromën Daun.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot në Fejsbuk ka njoftuar se për kënaqësinë e tij personale dhe të familjarëve të saj, Ëmbla përsëri vazhdon të fitojë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësitë me bashkëmoshatarët e saj.

Shaqiri ka shkruar se Ëmbla nuk e ka ndjerë gëzimin e kthimit në shkollë në ditën e parë të gjysmë vjetorit të dytë, sepse, “fatkeqësisht në shoqërinë tonë akoma ka stereotipa dhe paragjykime për personat me nevoja të veçanta”.

“Lumturia në sytë e Ëmblës është lumturia jonë e përbashkët. Fitore e shoqërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore. Uroj që situata të tilla të mos ndodhin më. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në ndërgjegjësimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ata nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe meritojnë qasje të barabartë në arsim cilësor si gjithë të tjerët. Është një e drejtë themelore dhe ne jemi të detyruar ta mundësojmë, të krijojmë kushte në të cilat çdo fëmijë do të zhvillohet dhe realizojë potencialin e tij të plotë.

Të dëshmojmë se ngritja e gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor është prioriteti ynë kryesor dhe një proces që ne do të vazhdojmë ta zbatojmë. E nderuara Ëmbla , të uroj suksese në shkollimin e mëtutjeshëm. Unë qëndroj pas teje në çdo betejë tjetër!”, ka shkruar Shaqiri në Fejsbuk.

Ëmbla 11 vjeçare dje me një ditë vonesë është nisur në shkollë, por vetë, pasi prindërit e nxënësve tjerë të SHF “Bashkimi” në Gostivar e kanë bojkotuar mësimin. Ata në peticion kanë shkruar se vendimi të mos i lëshojnë nxënësit në mësim e kanë sjellë “për shkak të pengimit në mësim nga ana e nxënëses Ëmbla Ademi dhe për shkak të agresivitetit”.

Siç bënë të ditur disa media dje, drejtori i SHF “Bashkimi”, Zijadin Nuredini ka deklaruar se janë dakorduar me prindërit që Ëmbla të “zhvillojë mësimin me rotacion në tre paralele” që të mos mbetet vetëm tek një klasë. Atë e kanë vizituar përfaqësues të Qendrës për fëmijë me nevoja të posaçme “Handimak” ku kanë deklaruar se ajo asnjëherë nuk ka qenë agresive.

https://www.facebook.com/jetonshaqirii/posts/323830973090655