Shaip Kamberi deputeti i vetëm në Parlamentin e Serbisë

Shkup, 29 prill – Nga zgjedhjet e mbajtura në Serbi në fillim të muajit prill, humbën shqiptarët e Luginës sepse nuk arritën të sigurojnë as edhe një ulëse të vetme në Kuvendin e Serbisë. Por Shaip Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, ka kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”. Në rivotim arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të fituar edhe një mandat, shkruan Zhurnal.

Për votimin e Kamberit, ka bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë.

“Për dy mandate përfaqësimi Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi”, ka deklaruar kryeministri.

Ndërkaq, Kamberi njoftimin e fundit që është zgjedhur sërish deputet e ka bërë përmes një falënderimi për të gjithë kontribuuesit e kësaj fitore të shkruar në rrjetin e tij social.

“Qytetarëve të Lagjës së Strukarëve të cilët përtej  bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve. Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë. Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat ndëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar”, ka shkruar Kamberi.

Ai po ashtu ka falënderuar edhe thirrjet e të gjithë zyrtareve politikë nga Kosova në ndërgjrgjësimin e votuesve dhe të votohet Kamberi, e posaçërisht thirrjet e kyemnistrit Kurti, Krasniqit të PDK-së, dhe Abdixhikut të LDK-së.

“Së pari, mirënjohje pafund Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti. Shumë faleminderit Albin. Është nderim i veçantë që politika jonë e shprehur në parlamentin e Serbisë gëzon mbështetjen e hapur dhe të plotë nga Ju, si Kryetar i Qeverisë dhe si bartës i listës më të votuar në Republikën e Kosovës. Kjo përkrahje shpërfaq përkushtimin Tuaj dhe të Qeverisë që kryesoni për interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shtypur dhe të diskriminuar nga Republika e Serbisë”, ka shkruar Shaip Kamberi, tashmë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve në Serbi ishte se për herë të parë Lugina e Preshevës është përballë me dy lista shqiptare, kështu duke shkelur marrëveshjen e Tiranës zyrtare, e cila ishte nënshkruar në vitin 2020 për të vetmin qëllim, unifikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një listë të përbashkët karshi zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Rezultati i përçarjes së shqiptarëve të luginës dhe mos mundësia e unifikimit të tyre vetëm me një listë zgjedhore pasoi me humbjen e turpshme të shqiptarëve në atë rajon. Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2020, ku ishin të unifikuar, këtë vit të ndarë në dysh nuk arritën të sigurojnë as edhe një ulëse në Parlamentin e Serbisë, ndërkaq serbet në Parlamentin e Kosovës kanë të rezervuara 20 ulëse, e që tani me rivotim ka fituar vetëm një deputet, Shaip Kamberi.

Më 16 janar të vitit 2020, katër parti politike shqiptare në Luginën e Preshevës, janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti, të dalin me listë të unifikuar zgjedhore.

Zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi kanë qenë të parat, dhe ndoshta do të jenë të vetmet kur subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë qenë të unifikuar në një listë zgjedhore.

Përfaqësuesit e dy kampeve politike kanë fajësuar njëri-tjetrin për mosrespektimin e kësaj marrëveshjeje. Të cilët kanë arritur të marrin vetëm 13 mijë e 697 vota, të mjaftueshme vetëm për një deputet.

Pra, humbës nga këto zgjedhje ishin shqiptarët nga Presheva, Medvegja, dhe Bujanoci. Partitë shqiptare kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar i prirë nga Shaip Kamberi, dhe Alternativa për Ndryshim të udhëhequr nga Shqiprim Arifi – me gjithsej 20 kandidatë. Shqiptarët njëherë mbetën pa asnjë deputet në Parlamentin e Serbisë, e që tani me rivotim fitoi vetëm Shaip Kamberi.

“Ajo që është e qartë është se edhe në këto zgjedhje u kuptua se pasivizimi adresave ka qenë kryesisht etnik dhe selektiv, pra i ka goditur veçanërisht shqiptarët, qoftë në Medvegjë qoftë në Bujanoc, por në përgjithësi ka ndikuar në tkurrjen e trupit votues të shqiptarëve”, ka thënë Belgzim Kamberi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.

Kujtojmë se, në Serbi nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme. /Zhurnal.mk