Sfida me Milanin, flet Inzaghi: Derbi s’ka favoritë, nuk vendoset nesër fati i titullit
Pas pushimit, për shkak të angazhimeve të kombëtareve të Amerikës së Jugut, Serie A rikthehet me bujë, duke propozuar në javën e 24-t një derbi me rëndësi kapitale mes Interit dhe Milanit. Simone Inzaghi, trajneri i zikaltërve prezanton derbin e planifikuar për të shtunën në konferencën klasike për shtyp:
“Kemi një periudhë shumë stimuluese përpara nesh, duke qenë se do të përballemi me shumë skuadra cilësore. Nesër sigurisht që do të luajmë një derbi shumë të përzemërt dhe djemtë janë të vetëdijshëm për këtë. Ata janë shumë të koncentruar, por në të njëjtën kohë shpresoj që mendjet e tyre të jenë të çliruara”.
Trajneri zikaltër nuk beson se Milani, në rast humbjeje do ta gjente veten jashtë garës për titull: “Unë mendoj se jo, ka ende 15 ndeshje për t’u luajtur. E pamë se çfarë ndodhi në ndeshjen e parë, kur u përballëm me Milanin me 7 pikë më pak. Ne e barazuam atë ndeshje, por më pas bëmë mirë në muajin që pasoi dhe e zhdukëm diferencën. Nesër do të jetë një sfidë shumë e rëndësishme, ne e dimë se çfarë përfaqëson derbi për dy tifozëritë, por me 45 pikë ende në dispozicion, ka ende shumë për të luajtur”.
Derbi mund të jetë rasti i duhur për të treguar forcën: “Ne e dimë se cila është rruga që kemi nisur me djemtë, klubin dhe tifozët. Fillimisht kishte të panjohura të mëdha, por më pas ishim të mirë për t’i bërë gjërat të shkonin në mënyrën e duhur. Kjo duhet të na inkurajojë, të mos e ulim vigjilencën. Në të vërtetë duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm gjatë tre muajve që kanë mbetur, nga tani e deri në fund”.
Inzaghi analizon merkaton e dimrit: “Kemi menaxherë të shkëlqyer dhe një president që është gjithmonë me ne. Klubi ishte gati dhe mori dy lojtarë që mund të na ndihmojnë nga këtu deri në fund. Për Gosens do të duhet ende pak kohë, por është një anësor i shkëlqyer. Caicedo e kam trajnuar në tri vitet e fundit te Lazio dhe lindi mundësia për ta marrë. Jam i lumtur”.
Inzaghi shpjegoi se cili do të ekzekutojë penalltitë, nëse akordohen të tulla nesër: “Lautaro është gjuajtësi kryesor i penalltive, pastaj kemi Calhanoglu, Perisic dhe Sanchez”.
Sipas trajnerit zikaltër, nuk ka favoritë në derbi: “Kam luajtur shumë në Romë, madje edhe mes skuadrave me renditje të ndryshme, dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë favorit. Aq më tepër në këtë derbi, duke qenë se do të përballen dy skuadra shumë të forta dhe të organizuara. Episodet do të bëjnë ndryshimin”.

