Senati amerikan e miratoi paketën e rëndësishme ligjore për klimën

Demokratët në Senatin amerikan e shtynë paketën e tyre ekonomike në vit zgjedhor për Kongresin. Ligji që u miratua ishte rezultat i një kompromisi të vështirë dhe është më pak ambicioz se vizioni origjinal i presidentit Xho Bajden, por ende përmbush synimet kryesore demokratike si ngadalësimi i ngrohjes globale, kufizimi i kostove të kujdesit shëndetësor dhe taksa minimale e korporatave të mëdha.

Paketa e pritur prej 740 miliardë dollarë shkon në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtarët e së cilës janë gati të mbështesin prioritetet e Bajden.

“Sot, demokratët e Senatit qëndruan me familjet amerikane”, tha presidenti Xho Bajden në një deklaratë nga Delaver.

Presidenti i kërkoi Dhomës së Përfaqësuesve që ta miratojë ligjin sa më shpejt të jetë e mundur.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të premten.

Propozim-ligji prej më shumë se 700 faqesh u miratua me votim partiak në Senatin e polarizuar, ku të gjithë demokratët votuan “për”, të gjithë republikanët votuan “kundër” (50-50) dhe nënspresidentja Kamala Haris dha votën vendimtare për miratim.