Senati amerikan e mbështeti hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Senati amerikan dje e miratoi hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, që paraqet zgjerimin më të rëndësishëm të Aleancës prej 30 anëtarësh që nga vitet 1990, që vjen pas pushtimit rus  të Ukrainës.

Senati me 95 vota “për” dhe një “kundër” votoi për mbështetjen e ratifikimit të dokumenteve aderuese të të dyja vendeve skandinave, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e dy të tretave prej 67 votash të nevojshme për ratifikim.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO si përgjigje e invadimit rus të Ukrainës,  e cila vazhdimisht ka paralajmëruar të dyja vendet  të mos i bashkohen Aleancës.

Të gjitha 30 anëtaret e NATO-s në korrik e nënshkruan protokollin e pranimit për Suedinë dhe Finlandën, duke i lejuar ata të bashkohen me aleancën bërthamore, të udhëhequr nga SHBA-ja pasi të gjitha vendet anëtare ta ratifikojnë vendimin.

Ratifikimi i marrëveshjeve mund të zgjasë edhe deri në një vit, megjithëse disa vende tashmë e kanë miratuar, duke e përfshirë Kanadanë, Gjermaninë dhe Italinë.

Senatorët nga të dyja palët dhanë mbështetje të qartë dhe të fortë për anëtarësimin e të dyja vendeve, duke i përshkruar ato si aleatë të rëndësishëm, ushtritë moderne të të cilëve tashmë bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n.

“Kualifikimet e këtyre dy kombeve prosperuese, demokratike janë të jashtëzakonshme dhe do të shërbejnë për të forcuar aleancën e NATO-s”, tha senatori demokrat Bob Menendez, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme, duke e kërkuar mbështetjen e senatorëve përpara votimit.