Sela: “Open Balkan”, Serbisë i krijohet treg Gjigant

Tiranë, 14 Qershor – Kreu i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut Ziadin Sela komentoi në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe samitin e fundit që u mbajt në Ohër.

Sela tha se nuk është nisma e duhur për rajonin ndërsa shtoi se ‘Open Balkan’ duhet të ketë në fokus interesin e shqiptarëve.

Sipas tij, për të vendosur paqen në Ballkan, Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Sakaq, Sela deklaroi se Rama me këtë iniciativë po i krijon alternativë Serbisë.

“Të kemi kujdes si orientim, si popull që jemi. Orientimi ynë duhet të jetë drejt BE dhe ne nuk guxojmë si rajon që të japim alternativa të reja dhe risi udhëheqësve europiane.

E dyta, ne kemi një problem që mendoj se nuk është hallka e fundit por më e rëndësishmja për ta bërë më stabil ballkanin apo për ta rivendosur paqen, kjo është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Për sa kohë nuk ka ndodhur nuk është e mençur që politikanët shqiptarë t’i krijojnë alternativa Serbisë dhe Vuçiçit, por t’i krijojnë një bypass njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Olaf Scholz e zbërtheu me një deklaratë qëllimin real të Serbisë në Ballkanin e Hapur, që BE, është e paimagjinueshme që brenda vetes të ketë shtete që nuk e njohin njëra-tjetren. Ripërsëritje edhe e Merkel.”-deklaroi Sela.