Sela: Nuk ka përçarje brenda radhëve të ASH-së

Shkup, 25 mars – Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i ftuar në “Rruga drejt”, mohoi zërat për përçarje brenda radhëve të partisë së tij. Ai me këtë rast nënvizoi raportet tija me kryetarin aktual të Gostivarit, Arben Taravari, duke theksuar se ndonjëherë kanë edhe mendime ndryshme, dhe se kjo është pjesë e demokracisë.

“Nga 2017 po e ndajnë Arbenin dhe Ziadinin, jo, dhe vazhdon, është e njëjta logjikë, është e njëjta kuzhinë që i përgatit këto gjëra, por sido që të jetë, ne i kemi raportet e shkëlqyera partiake. Nuk është se ja bëjmë qejfin njëri tjetrit çdo herë, por edhe debatojmë, jo vetëm me Arbenin por me gjithë anëtarët edhe të kryesisë së ngushtë dhe më gjerë. Natyrisht që këto momente subjektet politike i bëjnë edhe më të pjekura dhe më të organizuara dhe i bëjnë edhe më të forta”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.