SASHK kërkon harmonizim të pagave, nga qëndrimi i anëtarëve do të vendoset për hapat në vijim

Shkup, 17 mars – Pa rezultat janë negociatat me Qeverinë për harmonizimin e pagave të të punësuarve në kopshte dhe në arsim me pagën minimale të rritur në vend dhe me marrëveshjet kolektive, njoftoi Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë. Të shtunën do të mbajë mbledhje Këshilli i SASHK-ut dhe do të sillen konkluzione për hapat e ardhshëm në bazë të mesazheve dhe pritjeve të anëtarëve të SASHK-ut, e cila është e revoltuar, tha kryetari i Sindikatës, Jakim Nedellkov.

Ai sot në konferencën për shtyp informoi se kanë pasur takime me ministritë kompetente në MASH dhe MPPS dhe negociatat i kanë vazhduar në Qeveri, por nuk ka përgjigje konkrete në kërkesën e SASHK-ut as ofertë të përqindjes së harmonizimit gjegjësisht rritje të pagave në veprimtaritë e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve. Sipas tij, shkelja më e madhe ligjore është në veprimtarinë e mbrojtjes së fëmijëve ku dhjetë pozita të ndryshme të punës, sipas marrëveshjes kolektive, barazohen dhe do të marrin pagë të njejtë, në arsimin fillor bëhet fjalë për pesë ndërsa në atë të mesëm për katër pozita pune të cilët janë me koeficientë dhe kompleksitet të ndryshëm në vende pune, ndërsa do të marrin pagë të njejtë.

Njoftoi se më së voni deri të mërkurën do të bisedohet edhe në Këshillin socio-ekonomik në Qeveri, nën udhëheqjen e kryeministrit, ku edhe SASHK është e ftuar. Theksoi se SASHK është konstruktive dhe i kupton pozitat e Qeverisë duke i marrë parasysh të gjitha krizat dhe prandaj do t’i shfrytëzojnë, të gjitha mjetet sindikaliste të mundshme për biseda dhe negociata për realizimin e të drejtave të punëtorëve, që janë sjellur me akte të cilat nuk respektohen.

“Revolta në anëtarësi është e madhe, sidomos në kopshte dhe në arsimin fillor dhe të mesëm, në konvikte, dhe sigurisht që arsimi i lartë pret të futet në kalkulimet për harmonizimin e pagave. SASHK është sindikatë konstruktive, ne mbetemi konsekuent derisa të shteren të gjitha mjetet sindikale në dispozicion, do të mundohemi të gjejmë një gjuhë të përbashkët me pushtetin. Qeveria si punëdhënësi më i madh në vend nuk i respekton ligjet dhe marrëveshjet kolektive, por kjo nuk duhet të na dekurajojë që të ndalojmë së kërkuari zgjidhje për rritjen e pagave apo harmonizimin e tyre në këto aktivitete”, tha Nedelkov.

Nëse negociatat mbeten pa marrëveshje, me siguri do të ndërmerret, siç tha, një nga dy mjetet më radikale të sindikatave – një protestë publike masive ose një grevë e përgjithshme