Samit botëror për Kovid-19 do të mbahet më 12 maj

Një samit botëror kushtuar përfundimit të epidemisë me Kovid-19 dhe përgatitjeve për kanosjet e ardhshme shëndetësore do të mbahet më 12 maj, kumtoi Shtëpia e Bardhë.

Me takimin virtuel do të kryesojë SHBA-ja, Gjermania, e cila për momentin kryeson me G-7, Indonezia e cila kryeson me G-20, Senegali, Unioni Afrikan dhe Belize, e cila kryeson me Asociacionin e shteteve në Karaibe (CARICOM).

“Samiti do t’i rrisë angazhimet tona kolektive për t’i dhënë fund fazës akute të epidemisë së koronavirusit dhe do të na përgatisë për kanosje të ardhshme shëndetësore. Para samitit më 12 maj, ju bëjmë thirrje liderëve botërorë, anëtarëve të shoqërisë qytetare, organizatave joqeveritare dhe sektorit privat të ndërmarrin përgjegjësi të reja dhe të sjellin zgjidhje për vaksinimin e popullatës botërore, shpëtimin e jetëve dhe ndërtimin e sigurisë më të mirë shëndetësore në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shtëpisë së Bardhë me bashkëkryesuesit.

Ky do të jetë samiti i dytë botëror kushtuar pandemisë me Kovid-19, e cila i vrau mbi gjashtë milionë njerëz në mbarë botën dhe e prishi ekonominë globale nga paraqitja e tij në dhjetor 2019.

Presidenti amerikan, Xho Bajden mbajti samit të ngjashëm më 22 shtator 2021, me ç’rast bëri apel për fushatë më të fuqishme të vaksinimit në mbarë botën.