Salman për vizitë në vende të BE pas vrasjes së Kashogi
Trashëgimtari saudit i fronit, Mohamed bin Salman sot nga Riadi u nis për vizitë në Greqi dhe Francë, që është vizita e parë në vendet anëtare të BE-së pas vrasjes së gazetarit saudit, Xhamal Kashogi para pothuajse katër viteve.
Sundimtari real i Arabisë Saudite, në masë të madhe ishte evituar nga Perëndimi pas vrasjes së Kashogit, kolumnist në “Uashington post” i cili e kritikonte mbretërinë. Ai iu vra në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018.
Trashëgimtari Mohamed do të takohet me liderët e Greqisë dhe Francës për të biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe mënyrat e përmirësimit të tyre në disa fusha dhe çështje të interesit të përbashkët, ceket në kumtesën e agjencisë saudite të lajmeve.
Vizita e tij fillon dhjetë ditë pasi që presidenti amerikan, Xho Bajden e vizitoi Arabinë Saudite dhe u takua me Mohamed. Vizita e Bajdenit u prit me kritika në SHBA dhe u dënua nga grupet ndërkombëtare për të drejta të njeriut.
Shërbimet sekrete amerikane pohojnë se Mohamed bin Salman e ka urdhëruar vrasjen e Kashogit, por Riadi e hedhë poshtë këtë pohim.
Trashëgimtari saudit vitin e kaluar vizitoi disa vende arabe, ndërsa në qershor ishte në Turqi. Dy vendet po tentojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet që u përkeqësuan pas vrasjes së Kashogit.
Edhe presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministri grek, Kiriakos Micotakis vitin e kaluar e vizituan Arabinë Saudite.

