Sali në takim për shëndetin dhe migracionit në Stamboll, të organizuar nga OBSH-ja
Shkup, 17 mars – Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë për shëndetësinë dhe migracionin, i cili sot dhe nesër mbahet në Stamboll, në organizim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që migrantët dhe refugjatët jo vetëm të kenë qasje në shërbimet shëndetësore kur kanë nevojë për to, por gjithashtu që këto shërbime të përshtaten me ndryshimet demografike në shoqëri, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e migrantëve”, deklaroi ministri Sali në paraqitjen e tij.
Në margjinat e takimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Sali u takua me drejtorin Rajonal të OBSH-së për Evropën Hans Kluge, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe kujdesit shëndetësor në vendin tonë, për aktivitetet e ardhshme dhe planet për të përforcuar bashkëpunimin me OBSH-në.
Në të njëjtën kohë, Kluge i dhuroi ministrit Sali pllakë për përkushtimin e sistemit shëndetësor dhe punonjësve shëndetësorë në vendin tonë në luftën kundër Kovid-19.
“Si shenjë e vogël e njohjes sime personale, si dhe mirënjohjes nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, si dhe nga Zyra Qendrore në Kopenhagë dhe vendet anëtare, për angazhimin e vazhduar dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien. Duke qenë në rajonin evropian të OBSH-së, dëshiroj t’ua dhuroj këtë pllakë mirënjohje punonjësve shëndetësorë në vend dhe bashkë me ata të përcjell mesazhin tonë të mirënjohjes për të gjithë ata, tregoi Kluge”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

