Sali – Kluge: Maqedonia e Veriut e përkushtuar në investimin në reformat shëndetësore
Shkup, 16 shkurt – Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali sot mbajti takim onllajn me drejtorin rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, dr. Hans Kluge, në të cilin shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme nga OBSH për avancimin e mbrojtjes shëndetësore në shtet dhe në përgatitjen e përbashkët të “Udhërrëfyesit me vendet nga Ballkani Perëndimor”.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar në investimin e mëtutjeshëm në reformat shëndetësore dhe vazhdimin e progresit të arritur paraprakisht, me qëllim të arritjes së standardeve të BE-së. Vendi ynë tregon përmirësim të dukshëm të treguesve për kujdes perinatal. Gjatë disa viteve të fundit, falë mbështetjes së OBSH-së – shkalla e vdekshmërisë neonatale u ul prej 6,3 në vitin 2019 në 4,2 në vitin 2020. Në vazhdimësi bëjmë përpjekje për përforcim të resurseve shëndetësore njerëzore dhe të kapaciteteve të tjera në spitalet kyçe në nivel rajonal”, theksoi në takim ministri Sali.
Në bisedime, siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, fokus i veçantë ishte vënë në përballjen e suksesshme me pandeminë me Kovid-19, duke pasur parasysh se përballja me virusin përfaqëson sfidë të përbashkët për të gjitha vendet, për të cilin nevojitet unitet, solidaritet dhe partneritet.
Njëherësh, ministri shprehu falënderim të veçantë për OBSH-në për mbështetjen e siguruar gjatë zbatimit të studimeve në lidhje me mbështetjen shëndetësore financiare, Kovid-19 dhe drejtësisë shëndetësore, të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin me qëllim të përgatitjes më të suksesshme të politikave të bazuara në dëshmi.
Gjithashtu, në takim u bisedua për aktivitetet e planifikuara në drejtim të parandalimit të faktorëve të rrezikut për sëmundje të transmetueshme dhe përforcim të skriningut për sëmundje joinfektuese, mbrojtja primare shëndetësore, avancimi i shëndetit të nënës, si dhe shëndetin perinatal dhe mental, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë

