Sa po zbatohet ligji për shtetësinë?

Shkup, 10 maj – Maqedonia e Veriut shtet i cili nuk i njeh qytetarët e vendit, këtë e ka dëshmuar me zvarritjen e shkaktuar për mos dhënien shtetësisë. Me mijëra qytetarë e pjesa më e madhe prej tyre shqiptarë janë endur institucioneve me vite të tëra duke kërkuar të drejtën e tyre elementare nënshtetësinë. Personat që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe që nuk kanë shtetësi lirshëm mund kategorizohen si persona të “padukshëm”. Këta përballen me probleme në çdo hap që e bëjnë, meqë jetojnë në këtë vend ata shfrytëzohen si taksa pagues por në shkëmbim të këtij shfrytëzimi nuk e marrin trajtimin e duhur, shkruan Zhurnal.

Në ndihëm që qytetarëve pa shtetësi dolën partitë opozitare atë kohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kjo e fundit tani është pjesë e qeverisë. Këto dy parti që ishin në koalicion iniciuan një nismë për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit sigurohet shtetësia në Maqedoninë e Veriut.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare ka synuar që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.

Por, edhe pas këtij ndryshim ligji sërish janë vërejtur problematika në funksionimin e ligjit të ri të miratuar në Kuvend, pasi ka qytetarë të shumtë që ende nuk shfrytëzuar këtë të drejtë elementare të tyre, marrjen e shtetësisë.

Fadil Spahija qytetar nga Kumanova për Zhurnal tha se ka aplikuar duke kompletuar dokumentacionet e nevojshme, por që ende nuk ka marrë shtetësinë.

“Jetojë në Kumanovë, e gjithë familja ime ka marrë nënshtetësi vetëm unë kam ngelur pa të. Aplikova sipas rregullave duke kompletuar dokumentacionin e nevojshëm, me gëzim e mirëpritëm ligjin e ri por si duket ende ka zvarritje. U bënë 6 muaj që kur kam aplikuar por ende nuk kam marrë përgjigje, nuk e di ky ligj lehtëson apo vështirëson procedurat. Kam nevojë sa më parë të pajisem edhe unë me shtetësi si qytetarë i këtij shteti”, tha Spahija.

Ajo që është problematikë kryesore në dhënien e shtetësive janë procedurat të cilat sipas ligjit janë lehtësuar, por ende nuk dihet se sa zgjasin këto procedura saktësisht.

Këtë situatë e ka alarmuar edhe kreu i ASH-së Ziadin Sela, partia e të cilit inicioi ndryshimet në ligjin e shtetësisë. Sela tha se pengesat po bëhen nga ana e MPB-së.

“Informacionet e mia sot flasin që janë 8 000 shtetësi të bllokuara përsëri nga momenti që ne e kemi sjellë Ligjin për shtetësi dhe që presin zyrave të MPB-së dhe po bllokohen që ti marrin shtetësitë. ASH nuk e le me kaq. Ne do të angazhojmë avokat e do ti dalim në ndihmë qytetarëve”, ishte shprehur Ziadin Sela.

Ndërkaq, për këto vonesa procedurale kryeministri vendit, Dimitar Kovaçevski, ka gjykuar Agjencinë e Sigurisë Kombëtare(ASK) për punë jo produktive në procedimin e kërkesave për shtetësi. Ai mes tjerash ka thënë se ASK-ja është ngarkuar si pasojë e kërkesave të shumta për shtetësi që ky institucion i ka trashëguar nga ish DSK-ja. Ata thonë që në ASK standardet e NATO-s zvarrisin procesin e furnizimit të qytetarëve me shtetësi.

Sa i përket numrit të qytetarëve që nuk kanë shtetësi, ndryshe nga autoritetet shtetërore, që deklaronin se nuk kanë të dhëna, partitë politike opozitare patën thënë se janë rreth 70 mijë qytetarë që janë pa shtetësi, e që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thoshte diku 2500 qytetarë nuk kanë shtetësi prej tyre numri më i madh rom, ndërkaq i fundit ishte kryeministri Kovaçevski i cili në një konferencë për media tha se janë mbi 20 mijë kërkesa për shtetësi që janë mbajtur në sirtarë e që nuk janë shqyrtuar fare.

Por edhe nëse është edhe vetëm një qytetarë pa shtetësi ndaj tij bëhet padrejtësi, prandaj pavarësisht numrit duhet eliminuar kjo dukuri dëmtuese ku qytetarët në vend të vet në shtëpitë e tyre janë të pa njohur e të padukshëm për shtetin, madje shpesh herë janë cilësuar si të “rrezikshëm”.

Por pas gjithë kësaj torture të përjetuar e përballje me këtë padrejtësi ndër vite, u ngjallën shpresa edhe pse të zbehta sërish qytetarët po shpresojnë që përmes këtij ligji të ri secili prej tyre do të pajiset me shtetësi. Por, nuk është pritur ngjashëm nga bashkëqytetarët maqedonas, ka pasur reagime të shumta e të ashpra ndaj kësaj nisme, ku është etiketuar edhe si “veprim shovinist”.

“Në mënyrë artificiale mundësohet që 70 mijë kosovarë të marrin shtetësinë e Maqedonisë”, pati shkruar Dimitar Apasiev, kryetari i së Majtës.

Por ishte konsistenca e partive politike shqiptare opozitare të cilët shkaktuan bllokadë totale të Kuvendit deri në miratimin e ligjit. Me 57 vota “për” dhe 32 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Shtetësi.

Sipas ndryshimeve në ligjin për shtetësi, është paraparë që shtetësia të mund të merret me parashtrimin e dokumenteve personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera.

Ata të cilët jetojnë në Maqedoni që para pavarësisë së shtetit, mjaftojnë të dorëzojnë një dokument si dëshmi, qoftë certifikatë të lindjes, dëftesë, dokument për tatim të paguar, letër njoftim ose pasaportë të IRFJ-së, librezë shëndetësore e dokumente të ngjashme. Ligji i ri bën lehtësime edhe për personat që e kërkojnë shtetësinë pas kurorëzimit, të cilët nuk duhet të dorëzojnë si më parë dokument për burim të vazhdueshëm të mjeteve financiare dhe dokument për pronë banimi.

Kujtojmë se, ligji i cili ishte në fuqi, ka qenë në dëm të qytetarëve të cilët kanë pasur problem me pajisje me shtetësi, e të cilët jetojnë në kushte mizore në këtë shtet. Sigurimi shtetëror i ka lënë mijëra njerëz pa shtetësi deri më sot, duke i karakterizuar ata si të rrezikshëm për shtetin, pavarësisht se kanë bërë edhe nga 70 vjet jetë në këtë vend. /Zhurnal.mk