Rusia u jep ultimatum të ri ushtarëve ukrainas në Mariupol

Në një fjalim drejtuar vendit të tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nëse Ukraina do të kishte qasje në armë më të mira “të krahasueshme me ato të përdorura nga Rusia, ne tashmë do ta kishim përfunduar këtë luftë”.

Presidenti Zelensky tha se “është e padrejtë që Ukraina është ende e detyruar të kërkojë atë që partnerët e saj kanë ruajtur prej vitesh”.

Ai tha se nëse vendet perëndrimore kanë armët dhe municionet që i duhen Ukrainës, “është detyra e tyre morale të ndihmojnë në mbrojtjen e lirisë, për të shpëtuar jetën e mijëra ukrainasve”, raporton BBC.

Zelensky shtoi më tej se nëse vendi i tij merr armët që i janë premtuar në javët e ardhshme, do të shpëtohet jeta e mijëra njerëzve.

Presidenti Zelensky shtoi se intensiteti i të sulmeve ruse në Harkiv në Donbas dhe në rajonin e Dnipropetrovsk është rritur, madje duke synuar strukturat civile.

“Fati i dhjetëramijëra banorëve të Mariupolit që u zhvendosën në territoret e kontrolluara nga Rusia nuk dihet”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes u ka dhënë luftëtarëve ukrainas, të cilët ndodhen në një kompleks industrial në qytetin e rrethuar të Mariupolit, një ultimatum të ri për t’i dorëzuar armët.

“Forcat e armatosura ruse, të bazuara thjesht në parimet humanitare, propozojnë sërish që luftëtarët e batalioneve nacionaliste dhe mercenarët e huaj të ndërpresin operacionet e tyre ushtarake nga 14.00 me orën e Moskës më 20 prill dhe të dorëzojnë armët”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.

Asnjë ushtar i vetëm ukrainas nuk pranoi këtë thirrje të martën, tha ministria në një deklaratë.

Luftëtarët e mbështetur nga Rusia thuhet se po përpiqen të sulmojnë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku thuhet se po qëndrojnë trupat ukrainase dhe civilët.

Në një postim në Telegram, Këshilli Bashkiak i Mariupolit tha se pavarësisht avantazhit të trupave të shumta ruse në qytet, ata ende nuk kanë mundur të marrin Mariupolin dhe kështu “ata duan të rrafshojnë” fabrikën e çelikut.

Më tej u tha se Rusia nuk ndali ofensivën pavarësisht faktit që civilët po strehohen gjithashtu në atë kompleks.

Gjatë se martës dhe mëngjesin e së mërkurës së 20 prillit, në shumë lokacione të Ukrainës kanë vazhduar luftimet.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ukrainase ka njoftuar se trupat ukrainase deri më tani kanë mbajtur vijën kundër një ofensive të gjerë ruse në lindje të vendit dhe në disa vende kanë thënë se kanë kundërsulmuar me sukses.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca dhe Gjermania premtuan më shumë mbështetje për Ukrainën pasi udhëheqësit e këtyre shteteve zhvilluan një telefonatë të përbashkët.

“Ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë atyre më shumë municion, pasi do t’u ofrojmë më shumë ndihmë ushtarake”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, duke shtuar se sanksionet e reja po përgatiteshin gjithashtu.

Artileria do të jetë në raundin tjetër të armëve amerikane të dërguara në Ukrainë, u tha gazetarëve presidenti Joe Biden.

Kryeministri britanik, Boris Johnson u tha ligjvënësve se lufta “do të bëhet një konflikt artilerie”, që do të thotë se Ukraina do të ketë nevojë për më shumë artileri.

“Kjo është ajo që ne do t’u japim atyre… përveç shumë formave të tjera të mbështetjes”, tha Johnson.

Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi se Berlini do të financojë dërgesat direkte të armëve nga industria gjermane.

Ai tha se armët antitank, pajisjet e mbrojtjes ajrore, municionet dhe pajisjet që mund të përdoren “në një angazhim artilerie” ishin ndër armët që mund të dërgohen nga Gjermania në Ukrainë.

Pas dështimit për të pushtuar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha dhe strategjike në luftën e saj gati tetë-javore, Moska tani thotë se qëllimi i saj është të pushtojë në tërësi provincat Donetsk dhe Luhansk, të cilat kanë qenë në fokus të separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.