Rusia akuzon Ukrainën për vrasjen e vajzës së aleatit të ngushtë të Putin

Rusia ka akuzuar zyrtarisht oficerë të inteligjencës ukrainase për organizimin e vrasjes së Darya Dugina, vajzës së Alexander Dugin, aleatit të ngushtë të Presidentit rus Vladimir Putin.

Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Rusisë (FSB) tha se një shtetas ukrainas mbërriti në Rusi në muajin Korrik. Sipas FSB-së, është pikërisht ky person që organizoi vrasjen e gazetares ruse 30-vjeçare, duke i shpërthyer makinën me bombë.

Sipas hetuesve rusë, i dyshuari u largua nga Rusia në Estoni. Por Ukraina e ka mohuar përfshirjen në këtë atentat, ndërsa një ish-deputet rus ka deklaruar pas ngjarjes fshihen grupe të brendshme në Rusi që kundërshtojnë regjimin e Putin.

Alexander Dugin është një filozof rus i konsideruar si “truri i Putinit”. Ai është ideolog ultra-nacionalist dhe ka lidhje të afërta me Presidentin rus. Makina ku ishte vendosur i përkiste pikërisht filozofit, pasi kishte udhëtuar së bashku me vajzën në një aktivitet.

Por gjatë kthimit, ai vendosi të udhëtonte veçmas me vajzën e tij. Kjo e fundit mori drejtimin e makinës së të atit dhe në dalje të Moskës automjeti u hodh në erë. Dyshohet se bomba ka qenë e planifikuar për Alexander Dugin. /tvklan.al