Rrjeti prej 120 mijë bunkerëve të lidhur me qindra kilometra tunele, Finlanda dhe Suedia prej vitesh përgatiten për sulme potenciale

Pas Luftës së Ftohte, rrjetet nëntokësore të bunkerëve në Evropë kanë filluar të shkatërrohen, por jo edhe në Skandinavi ku po ndërtohen të rinjtë.

Lufta e Ftohtë ka përfunduar, e qeveritë evropiane bunkerët më nuk i konsiderojnë si prioritet. Ata hodhën poshtë mundësinë e një sulmi bërthamorë dhe kështu u relaksuan paksa, transmeton Telegrafi.

Por në vitin 2014, Rusia u fut në Krime dhe kjo ishte një thirrje për t’u “zgjuar” dhe të aktivizohen shtetet e fuqishme evropiane. Madje zëdhënësi i shërbimit civil të Suedisë, Uve Brunstrom, tha se aty e kuptuan se kanë qenë naivë.

Në vitin 2014, Suedia u aktivizua shpejtë për të përgatitur dhe modernizuar rrjetin e saj nëntokësorë të bunkerëve. Sipas vlerësimeve të organeve kompetente, në këtë shtet skandinav aktualisht ekzistojnë 65 deri në 70 mijë bunkerë të gatshëm të akomodojnë 80 për qind të popullatës së Suedisë (rreth 10 milionë).

Situatë e ngjashme është edhe në Finlandë, që ka një rrjet prej rreth 55 mijë bunkerë nëntokësorë që kanë kapacitete të mjaftueshme të strehojnë tërë popullatën (rreth 5.5 milionë).

Këto dy vende ditëve të fundit njoftuan se do t’i bashkohen NATO-s, pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë që mos ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se këto vende nuk kërcënohen nga askush, skandinavët mendojnë se megjithatë ekziston kërcënimi.

Derisa ekziston paqja, bunkerët shërbejnë si kinema, klube nate, kisha, muze dhe fusha sportive. Kur qeveria të jep urdhër, në një afat prej 72 orëve mund të shndërrohen në bunkerë.