Rritja e pagës minimale simbolike dhe e pamjaftueshme për përballje me shpenzimet e larta!

Shkup, 24 mars – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka rritur pagën minimale nga 18.000 në 20.175 denarë apo në rreth 330 euro, ndërsa nga muaji prill do të rriten edhe pensionet për 8.4 për qind. Rroga mesatare, bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, ka arritur në rreth 33.000 denarë apo në 550 euro. Por, pavarësisht rritjes së pagës minimale dhe asaj mesatare, rritja e çmimeve të produkteve ushqimore i ka humbur vlerën të ardhurave mujore. Por, kjo rrije shihet si e pamjaftueshme për përballje me shpenzimet e larta. Madje punëtorët rritjen prej 2.000 denarëve e cilësojnë si nënçmim. Sepse, kjo rritje bëhet e pavlerë dhe e pa kurrfarë ndikimi në përmirësim të standardit jetësor kur marrim parasysh çmimet e larta që kanë shkuar në stratosferë dhe që qytetarët e kanë të pamundur të menaxhojnë këtë situatë ku paga është e ulët dhe çmimet të larta. Jemi në një situatë ku edhe nëse në një familje ka dy anëtarë të punësuar me pagë minimale nuk mund të përmbushin shpenzimet e shportës sindikale mujore, shkruan Zhurnal.

Rritja e pagës minimale për 2.000 denarë, shihet si nënçmim për punëtorët –

Kristina Ampeva, punëtore e tekstilit dhe përfaqësuese e organizatës joqeveritare “Zëri i tekstilit”, thotë se rritja e pagës minimale për 20.000 denarë, në kushte të rritjes së madhe të çmimeve të prodhimeve ushqimore dhe të shërbimeve tjera, është e papërfillshme dhe nënçmuese për punëtorët e tekstilit.

Ajo argumenton se masat e Qeverisë janë të vonuara, pasi punëtorët në Maqedoninë e Veriut, sipas saj, tashmë po ikin nga vendi në kërkim të një jete më me dinjitet.

“Paga minimale prej 20.000 denarëve nuk do të thotë asgjë. Ata thonë se ja arritëm të bëjnë një ngritje të pagës, se me këtë janë pajtuar edhe sindikatat, se është një e arritur e madhe, e s’di çfarë tjetër thonë. Por, nëse shihet shpenzimet në jetën e përditshme, rritja e çmimeve, inflacioni që ka marrë përmasa shqetësuese, një paga e këtillë nuk përmbush as për së afërmi nevojat më elementare për jetë”, thotë Ampeva për REL.

Ahmet Durmishi, pensionist, thotë se pavarësisht masave që po ndërmerren, në Maqedoninë e Veriut nuk ka perspektivë, andaj sipas tij çdo ditë po rritet numri i atyre që po largohen nga ky shtet.

“Këtu nuk ka perspektivë. Pensionin që marrim e shpenzojmë për dhjetë ditë. Pensionet duhet të jenë shumë më të larta, rreth 600-700 euro. Marrim 100 euro pension, çfarë të bëjmë me këtë që marrim. Problemi është te çmimet dhe asnjëherë nuk do të ulen ashtu siç kanë qenë”, thotë ai për REL.

Për shpenzimet minimale në shkurt nevojiteshin 50.909 denarë, pothuajse dyfishi i rrogës minimale-

Një familje prej katër anëtarësh në muajin shkurt të këtij viti kishte nevojë për 50.909 denarë për shpenzime minimale mujore, tregojnë llogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Në krahasim me janarin e këtij viti, shporta konsumatore sindikaliste është rritur për 110 denarë. Kjo tregon që çdo ditë e më shumë shpenzimet po rriten dhe jeta e qytetarëve po vështirësohet.

Nga kjo kuptohet që kemi të bëjmë me një standard jetese ende jo në nivelin e dëshiruar, pasi shpenzimet nuk janë në përputhje me të ardhurat, dhe në këtë formë nga ky proporcion jo i drejtë krijohen pakënaqësi të shumta në funksionim si dhe në përmbushjen e detyrimeve që janë edhe esenciale.

Në kohën kur kriza ekonomike ka kapluar vendin, inflacion sa shkon e rritet edhe më shumë, pagat minimale janë rritur vetëm për 2.000 denarë, nga 18.000 denarë që ishin, bie që me këtë pagë nuk mund të jetojnë as dy persona apo një çift, pastaj planifikimi familjar vështirësohet edhe më shumë. Jo rastësisht vendi është në varfëri ekstreme pasi në shumë familje ka vetëm nga një të punësuar që merr pagë minimale që minimizon mundësitë e përmbushjes së detyrimeve familjare dhe qëllimeve.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.

Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme.

Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk