Rritja e pagave rrit vetëm inflacionin apo rrit mundësitë për një jetë më të mirë?
Shkup, 9 shkurt – Rritja e pagave është një nga ato tema që ndez menjëherë reagimet publike për disa është shpëtim në kohë krize, për të tjerë është recetë e sigurt për rritje çmimesh. Njoftimi qeverisë se nga muaji mars nis rritja për rreth 11 mijë të punësuar në administratë, gjykata dhe prokurori si hap i parë drejt një rritjeje graduale deri në 40% e ka rikthyer këtë debat në qendër të vëmendjes, shkruan Zhurnal.
A sjellë paga më e lartë jetë më të mirë, apo thjesht inflacion më të lartë?
Në planin social dhe politik vendimi është i lehtë për t’u shitur. Punonjësit publikë përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, me shportë konsumi që zgjerohet dhe me presion për profesionalizëm. Mesazhi i Qeverisë se dinjiteti i punës është prioritet tingëllon i drejtë dhe i nevojshëm. Në fund të fundit, shteti që kërkon shërbime cilësore duhet të paguajë njerëzit që i ofrojnë ato.
Por ekonomia nuk funksionon vetëm me mesazhe. Ajo kërkon mbështetje në produktivitet, në vlerë të shtuar dhe në një bazë reale zhvillimi. Këtu hyn paralajmërimi i ekspertit ekonomik Abil Baush i cili thotë se rritja artificiale e pagave, pa rritje të prodhimit dhe të efikasitetit ekonomik, rrezikon të ushqejë inflacionin. Nëse në treg qarkullojnë më shumë para, ndërsa mallrat dhe shërbimet nuk shtohen me të njëjtin ritëm, çmimet priren të rriten. Në këtë skenar, rroga nominale rritet, por fuqia blerëse mund të mbetet po aty ose madje të bjerë.
Kjo është frika e “rrethit vicioz” paga rritet që pastaj çmimet rriten e pastaj kërkohet sërish rritje page.
Megjithatë, të thuash se çdo rritje page prodhon automatikisht inflacion është një thjeshtëzim i tepruar. Ka situata kur rritja e pagave mund të veprojë si stimul për ekonominë më shumë konsum, më shumë kërkesë, më shumë aktivitet për bizneset. Pyetja vendimtare është nëse ekonomia vendase ka kapacitet të përgjigjet me prodhim, apo nëse kërkesa do të mbulohet kryesisht nga importi. Në rastin e dytë, përfitimi për zhvillimin e brendshëm mbetet i kufizuar.
Çfarë do të ndodhë me sektorin privat?
Nëse sektori publik përfiton rritje të ndjeshme, ndërsa sektori privat mbetet nën presion të lartë dhe me marzhe të ulëta, krijohet pabarazi e re dhe tension në tregun e punës. Punëdhënësit privatë ose do të detyrohen të ndjekin ritmin duke rritur pagat ose do të humbin fuqi punëtore.
Në këtë kuptim, debati nuk duhet të jetë “pro” ose “kundër” rritjes së pagave. Debati duhet të jetë si ta lidhim rritjen e pagave me rritjen e produktivitetit dhe reformave? Pa modernizim administrate, pa matje të qarta të performancës, pa investime që rrisin konkurencën e ekonomisë, çdo përqindje shtesë mbetet vendim politik dhe shumë pak zhvillimor për të mos thënë aspak.
Po ashtu, ideja e lidhjes së pagave me një shportë konsumi të matur në mënyrë institucionale, siç sugjeron Baush, meriton seriozitet. Pa indikatorë të besueshëm, vendimmarrja lëviz mes presionit sindikal dhe kalkulimeve elektorale.
Në fund, qytetarët nuk jetojnë me përqindje, por me atë që arrijnë të blejnë. Nëse pas disa muajsh rritja e rrogës tretet nga çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave, atëherë entuziazmi i marsit do të zëvendësohet nga zhgënjimi i përditshëm.
Kujtojmë që, rritja e pagave mund të jetë fillimi i një jete më të mirë. Por vetëm nëse shoqërohet me rritje reale të ekonomisë, me prodhim më të madh, me institucione më efikase dhe me politika që krijojnë vlerë jo vetëm para në qarkullim. Ndryshe, mbetet një lajm i mirë për PR e qeverisë por jo edhe për xhepat e qytetarëve. medial.mk/

