Rritet numri i fëmijëve të prekur nga gripi në Maqedoni

Shkup, 23 shtator – Dukshëm është rritur numri i fëmijëve të prekur nga virozat. Më të prekur janë grupmosha prej 3 muajsh deri në 2 vjeç. Fëmijët dërgohen në klinika me temperaturë të lartë dhe shqetësime në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Në repartin e pediatrisë në Kërçovë në ditë paraqiten mbi 30 fëmijë për trajtim ditor por nuk është i vogël as numri i të hospitalizuarve.

“Ata fëmijë të cilët janë më rëndë ne i hospitalizojmë, i trajtojmë këtu dhe i mbajmë nën kontrollin tonë, që nuk është një numër i vogël por është një numër i konsiderueshëm fëmijësh, ndërsa pjesa tjetër dërmuese që po ashtu është një numër i konsiderueshëm, brenda 24 orëve në spitalin ditor trajtojmë diku tek 30 fëmijë çdo ditë dhe të hospitalizuar dikur rreth 10 deri në 15”, tha Xhabir Bajrami, specialist pediatër.

Ky numër i rritur i fëmijëve me viroza vjen tani në prag te sezonit të dimrit dhe ne kohën kur ka filluar procesi arsimor, ku ka grumbullim më të shumtë të fëmijëve. Specialisti pediatër Bajrami bën apel që prindërit të cilët vërejnë simptoma gripi tek fëmijët e tyre mos t’i dërgojnë në shkollë ose çerdhe.

“Tani me fillimin çerdheve dhe vitit shkollor është faktor risku që neve na u shtua numri i të sëmurëve, çdo grumbullim i fëmijëve sidomos në kopshte në çerdhe, në klasat e para të dytat në shkollimin fillor menjëherë u masivizua sëmundja tek fëmijët dhe shihet një virozë më tepër e theksuar”, theksoi Xhabir Bajrami, specialist pediatër.

Për t’u ikur virozave mjekët bëjnë apel që fëmijëve t’u jepet ushqimi i shëndetshëm, vitamina, lëngje, të bëhet ajrosja e hapësirave, t’i mbajmë larg ambienteve ku pihet duhan, ndërsa higjiena të jetë maksimale.