Rritet fluksi i udhëtarëve në Qafë Thanë, çmimet më të ulëta nxisin vizitat ditore në Strugë
Strugë, 9 prill, medial.mk/ – Diferencat në çmime, veçanërisht për karburantet dhe produktet ushqimore, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të udhëtarëve që kalojnë përmes pikës kufitare të Qafë Thanës gjatë fundjavave.
Sipas informacioneve nga terreni, një numër i madh qytetarësh nga Shqipëria po zgjedhin të kalojnë kufirin drejt Strugës për vizita të shkurtra njëditore. Qëllimi kryesor i këtyre vizitave mbetet furnizimi me derivate të naftës me çmime më të ulëta, si dhe blerja e produkteve ushqimore, të cilat në shumë raste rezultojnë më të lira krahasuar me tregun shqiptar.
Ky trend ka sjellë një gjallërim të dukshëm të qarkullimit në këtë pikë kufitare, por edhe në zonat tregtare të Strugës, ku bizneset lokale po përfitojnë nga rritja e konsumit.
Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se një frekuencë edhe më e lartë e udhëtarëve pritet në ditët në vijim, për shkak të fundjavës së zgjatur me rastin e festës së Pashkëve. Për këtë arsye, pritet intensifikim i masave për menaxhimin e fluksit dhe shmangien e pritjeve të gjata në kufi.

