Rriten pensionet për 2.500 denarë
Shkup, 1 tetor – Pensionistët sot do të marrin pension për muajin shtator me rritje prej 2.500 denarëve, ndërsa edhe një rritje lineare me vlerë 2.500 denarë duhet të kenë me pensionin e marsit. Rritja lineare e pensioneve, që është premtim parazgjedhor i Qeverisë së re, është për herë të parë pas disa viteve. Deri tani pensionet kanë qenë në përputhje me rritjen e pagave dhe shpenzimet e jetesës.
Kuvendi me 12 shtator miratoi ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me të cilat mundësojnë rritje lineare të pensioneve. Ndryshimet ligjore u miratuan me 78 vota “për”, pas një procedure të shkurtuar.
Për pagesën e pensioneve deri në fund të vitit, me ribalancin e Buxhetit janë siguruar edhe pesë miliardë denarë shtesë. Nga kjo shumë, 2,5 miliardë denarë janë mjete, të cilat transferohen në mënyrë shtesë në Fondin e sigurimeve pensionale për shkak të realizimit të rritjes së paralajmëruar lineare.
Sipas të dhënave të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor, në gusht të këtij viti janë paguar pensione për 340.709 persona. Pensioni mesatar është 21.217 denarë.
Nga numri i përgjithshëm i pensionistëve, 24.894 marrin pension deri në 13.192 denarë. Të ardhurat e 118.306 pensionistëve lëvizin nga 13.192 deri në 16.909 denarë, për 81.081 pensionistë nga 16.910 deri në 22.500 denarë, për 40.056 pensionistë nga 36.615 deri në 57.481 denarë dhe për 2.957 pensionistë mbi 57.481 denarë.