Rendi i ri botëror/ Ku janë shqiptarët dhe kush është armiku më i madh?

Shkup, 9 mars – Invazioni rus në Ukrainë po i lëvizë edhe pozicionet e shteteve si në tablo shahu. Përkrahja apo jo e sanksioneve të faktorit ndërkombëtar perëndumor detyrimisht e ndan botën në dy blloqe. Raportet ndërmjet shteteve drejtohen më shumë nga dinamika e fuqive sesa marrëdhëniet e brendshme, shkruan Zhurnal.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati ka folur rreth luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë nga Rusia. Sipas Bushatit, rendi i sigurisë në Evropë po pushon së ekzistuari gradualisht për t’ia lënë vendin një rendi të ri, i cili në thelb duket se do të jetë konfrontues.

“Jemi duke përjetuar një moment muzgu përsa i përket sigurisë europiane, e cila është një nensegment i rendit global, si pasojë e njohjes së dy rajoneve separatiste nga ana e Rusisë në Ukrainë dhe më pas si pasojë e pushtimit që Rusia i bëri Ukrainës. Më duhet të theksoj se ky nuk është akti i parë i Rusisë. Fillesat i kemi që në 2008 në Gjeorgji, më pas aneksimin e Krimesë dhe tanime pjesën e krahut lindor të Ukrainës. Duhet thenë që ka munguar disi qasja strategjike nga ana e Bashkimit Europian dhe paralajmërimet konsistente të Presidentit Biden gjatë gjithë kësaj periudhe për një pushtim të mundshëm të Ukrainës deri diku nuk u morën me seriozitetin maksimal nga ana e BE. Sot për sot jemi në një moment të ri që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe mund të thuhet pa mëdyshje që rendi i sigurisë në Europë që ne jemi mësuar të kuptojmë dhe të jetojmë që pas rënies së Murit të Berlinit po pushon së ekzistuari gradualisht për t’ia lënë vendin një rendi të ri, i cili në thelb duket se do të jetë konfrontues. Nga rrjeti i konflikteve të ngrira që jemi mësuar të shohim, po shkojmë drejt konflikteve me natyrë kinetike.

“Natyrisht që ne nuk jemi një rajon në vijë të parë siç janë vendet kufitare me Ukrainën apo vendet baltike të cilët janë përballë një rreziku imanent. Kjo është arsyeja se pse një pjesë e vendeve anëtarë të NATO-s kanë thirrur në ndihmë procedurat që kanë lidhje me nenin 4 të Traktatit të Washingtonit apo Traktatit të NATO që bën fjalë për cënimin e mundshëm të integritetit territorial të vendeve të NATO. Por, në Ballkanin Perëndimor ka dy vende siç janë Kosova dhe Bosnja që konsiderohen si projekte të papërfunduara përsa i përket shtetësisë dhe kjo është arsyeja pse duhet të jemi të kujdesshëm dhe duhet të kordinojmë çdo qëndrim dhe veprim, sic kemi bërë deri më sot me partnerët tanë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse BE-ja në një situatë të tillë do të njihte perspektovën europiane të Ukrainës dhe nga ana tjetër do merrte veprime konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën!”- ka sqaruar Bushati.

Njohësi i çështjeve politike Agim Popoci në analizën e tij të fundit ka shkruar se zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe mundësia e një rendi të ri botëror, duke pasur parasysh dhe atë që ndodhi në Afganistan, nuk mund ta projektojnë me saktësi shqiptarin në këtë botë ndryshe, po aq sa kinezin dhe rusin. Por, sipas tij, me saktësi mund të thuhet se ajo që u ka ndodhë afganëve dhe do t’u ndodhë ukrainasve, nuk mund t’u ndodhë shqiptarëve, qofshin ata edhe në Kosovën e kërcënuar nga ujërat e konflikteve rajonale dhe botërore.

“Sot, pas zhvillimeve në Afganistan, është shtuar doza e skepticizmit ndër shqiptarë se Kosovën nuk e bën të sigurt fakti se aty e kemi Bazën Amerikane Bondsteel! Por, shqiptarët, ndryshe nga afganët, sot jetojnë në tre shtete anëtare të NATO-s përreth Kosovës, që nuk do të lejojnë zhdukjen e vëllezërve të tyre nga faqja e dheut, siç nuk lejuan edhe në vitin 1999 kur nuk ishin pjesë e shteteve anëtare të Aleancës Veritlantike; Dhe, sot, implikimi i tyre në çfarëdo lloj incidenti e implikon edhe vetë NATO-n, gjë që nuk kishte si të ndodhte me afganët ose mund të ndodhë me ukrainasit.

Gjithashtu, është e sigurt se Kosova do të jetë ndryshe, pavarësisht epilogut në Ukrainë dhe meqë skenari afgan nuk ka se si të ndodhë, për zhvillimin e situatës atje dhe jo vetëm, ka arsye të shqetësohet vetëm Aleksandar Vuçiqi, që u ka premtuar serbëve ëndrra me rus”, ka shkruar Popoci.

Rendi ri botëror autoritar kërcënon atë liberal

Robert Maginnis, oficer në pension i ushtrisë amerikane, dhe analist ushtarak mbi Rusinë dhe Ukrainën me përvojë në terren shkruan se Tiranët në Moskë dhe Pekin po tentojnë që ta transformojnë rendin botëror liberal të pas Luftës së Ftohtë, në favor të atij që dominohet prej tyre në vendet ku mbizotëron diktatura dhe korrupsioni. Lufta aktuale në Ukrainë, është një shembull paraprak i asaj “bote” të re, dhe mund ta çojë botën në prag të një lufte bërthamore.

“Ndërkohë, nëse dështon për momentin në Ukrainë, Putini do të bëjë çdo përpjekje për të rimarrë ish-vendete Traktatit të Varshavës, duke filluar nga Baltiku. Situata është shumë e qartë. Lufta në Ukrainë nuk do të kishte nisur nëse Putin nuk do të kishte miratimin e heshtur të mikut të tij, presidentit kinez, Xi Jinping.

Mos harroni se ata u takuan më 4 shkurt në fillimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke premtuar mbështetje reciproke, pra atë që disa analistë e quajnë tani si një aleancë të re midis fuqive autoritare, një jehonë e Fuqive të Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy tiranëve u është sosur durimi me rendi botëror pro-perëndimor, me vlerat dhe institucionet e tij liberale. Ata synojnë ta rrëzojnë atë për të krijuar një rend të ri sipas dëshirës së tyre. Dhe kjo i përshtatet ambicieve kineze. Mbretëria e Mesme që daton që3500 vjet më parë, sundoi Kinën deri në fillimin e shekullit XX-të nëpërmjet 15 dinastive”, nënvizon Maginnis.