Rendevski: Brenda një jave duhet të fillojnë bisedimet me grupet punuese për përmirësimin e gjendjes në kujdesin parësor shëndetësor
Shkup, 4 mars – Së shpejti pritet të fillojnë punën grupet punuese tashmë të formuara për përmirësimin e gjendjes në kujdesin parësor shëndetësor. Këtë e deklaroi sot për MIA-n zëvendësministri i Shëndetësisë Vlladimir Rendevski, i cili tha se në mëngjes kanë pasur takim me stomatologët privatë dhe se është dashur të inkorporohen anëtarë të ekipeve që negociatat të shkojnë në mënyrë sinkronizuese.
“Në Ministrinë e Shëndetësisë ka klimë pozitive. Dje patëm edhe takim me ministrin dhe kryeministrin. Me të vërtetë jemi në disponim si Qeveri që në afat të gjatë t’i zgjidhim këto probleme të kujdesit parësor shëndetësor dhe jam i bindur se negociatat do të shkojnë në drejtim të mirë”, tha Rendevski.
Ekipet, sqaroi ai, janë duke u plotësuar me stomatologë, ndërsa shërbimet tjera profesionale do të inkorporohen.
Me hapjen e Ligjit për kujdesin shëndetësor, theksoi ai, të gjitha zgjidhjet duhet të shkojnë së bashku.
Ai theksoi se në ekipe janë edhe juristë, përfaqësues të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, sepse, siç tha ai, secila zgjidhje specifike duhet t’i përgjigjet Ligjit për kujdesin shëndetësor dhe rregullores së FSSH-së.
“Përveç qëllimit të mirë që kemi, kemi dëgjuar edhe për problemet e kolegëve. Megjithatë, këto janë akte nënligjore, ligje dhe vendime që nuk guxojnë të shkelin legjislacionin. Ekipet do të fillojnë punën. Dje jam dëgjuar me kryetaren e Shoqatës së Mjekëve Privatë dr.Lilija Çollakova Dervishova. Ka probleme që për fat të keq kanë mbetur nga viti 2006, disa rregulla për participime të caktuara, ndaj duhet trajtuar me shumë kujdes dhe tërësisht që gjërat të jenë të zbatueshme dhe të qëndrueshme, jo muaj pas muaji apo afatshkurtër dhe në interes të kolegëve dhe pacientëve”, tha Rendevski.
Për faktin se mjekët amë sot pranojnë vetëm urgjencat dhe nuk punojnë me pacientë të caktuar përmes “Termini Im”, ai tha se i kupton problemet e grumbulluara, por me ultimatume dhe data nuk arrihet asgjë.

