Rasti “Monstra” në apel, zhvillohet seanca publike pa avokat mbrojtës

Shkup, 18 mars – Edhe përkundër mungesës së avokatëve mbrojtës, Naser Raufit dhe Asmir Alispahiqit, trupi gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit vendosi të mbaje seancë publike për rastin “Monstra”. Trupi gjykues nuk pranoi kërkesën e Alispahiqit të anulohet gjykimi, pasi që për shkaqe shëndetësore nuk mundet të jetë prezent në seancë. Trupi gjykues nuk pranoi as kërkesat e të akuzuarve, Fejzi Azirit dhe Haki Azirit, të cilët kërkuan që seanca të mos zhvillohet në mungesë të avokateve të tyre mbrojtës.

“Unë e kundërshtoj mbajtjen e seancës pa avokatët tanë mbrojtës. Kjo gjykatë nuk është e drejtë dhe gjykimi nuk është i drejtë pa avokatët tanë.”,- tha i akuzuari, Fejzi Aziri.

Në shenjë revolte i akuzuari, Haki Aziri, nuk pranoi të jetë prezent në seancë publike pa prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe u largua nga seanca.

“Ne avokatët i kemi prej 10 vitesh, e tani duhet të mbrohemi vet. Nuk e pranoj gjykimin në këtë mënyrë pa avokatët mbrojtës dhe dua të largohem nga seanca gjyqësore, nuk dua të dëgjoj asgjë. Lënda është vonuar të dorëzohet në Apel për 1 vit, ndërsa tani e shoh se vetëm doni ta përfundoni në shpejtësi.”,- tha Haki Aziri.

Gjykata nuk pranoi as kërkesat e të akuzuarit, Fejzi Aziri, për largimin e dy gjykatësve nga trupi gjykues për, siç tha, mundësisë për njëanshmëri. Gjykatësja, Lidija Trajkovska Zimobovska, vetëm se e ka gjykuar më parë për një rast tjetër, ndërsa Zoran Dimitrievski vetëm se ka gjykuar njëherë për rastin dhe ka shqiptuar dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin i cili më pas u lirua nga akuza. Pasi që nuk u pranua asnjë kërkesë e të akuzuarve, trupi gjykues vazhdoi të elaborojë dhe shpalos rrethanat dhe dëshmitë nga aktvendimi i shkalles së parë.

Për trupin gjykues janë shumë relevante dëshmitë e shpalosura në Gjykatën Penale në veçanti dëshmia të cilën Haki Aziri e kishte dhënë në procedurën hetimore, menjëherë pas arrestimit të tij edhe pse të njëjtën më pas e ka mohuar duke deklaruar se nuk është e vërtet dhe se njëjta është dhënë nën trysni dhe pavullnetin e tij. Për rastin “Monstra” akuzohen 5 persona, tre prej të cilëve me burg të përjetshëm.