Raporti: Markat kineze të teknologjisë, rritje të fuqishme të vlerës së përgjithshme
Markat kineze të teknologjisë kanë demonstruar rritje të fuqishme në vlerën e përgjithshme dhe Kina e ka tejkaluar Japoninë për herë të parë, duke u renditur në vendin e parë në botë në perceptimet e teknologjisë dhe risive, gjë ka forcuar imazhin e saj si një fuqi kryesore teknologjike, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një firmë konsulence kryesore në vlerësimin e markave.
Raporti i sapopublikuar “100 markat kryesore teknologjike të vitit 2026” nga “Brand Finance” tregon që vlera e përgjithshme e 100 markave kryesore të teknologjisë në botë ka arritur në 3.7 trilion dollarë në vitin 2026, 15 për qind më shumë se një vit më parë.
Kina mban vendin e dytë global me 25 marka në listë, me një vlerë të kombinuar prej gati 465 miliardë dollarësh. Për më tepër, 11 marka kineze renditen mes 50 markave më të vlefshme të teknologjisë në botë, sipas raportit.
Vlen të përmendet se vlera e përgjithshme e markave kineze ka pasur një rritje të shpejtë vjetore prej 27.1 për qind, më e madhja mes fuqive të mëdha të teknologjisë që kanë disa marka kryesore, thuhet në raport.
“Ne me siguri mund të shohim se Kina vazhdon të përparojë dhe ka mundësi në teknologji në përgjithësi”, tha për “Xinhua” Lorenzo Coruzzi, drejtor i vlerësimit në “Brand Finance”. “Ka shumë hapësirë për zhvillim për markat kineze në zgjerimin dhe zhvillimin e tregut.”
Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara ruajnë dominimin në vlerën e markave të teknologjisë, me 46 marka amerikane që së bashku përbëjnë më shumë se tre të katërtat e vlerës së përgjithshme të 100 markave kryesore të teknologjisë. Në raport thuhet që pothuajse 70 për qind e kësaj vlere është e përqendruar vetëm në katër marka: “Apple”, “Microsoft”, “Google” dhe “Amazon”.
Në Treguesin Global të Fuqisë së Butë të “Brand Finance” për vitin 2026, një sondazh që përfshin më shumë se 150 000 të anketuar në të gjithë botën, Kina e tejkalon Japoninë, duke u renditur e para në nivel global në perceptimet e teknologjisë dhe inovacionit. Kjo ngjitje nënvizon renditjen e parë të Kinës në kategorinë e Arsimit dhe Shkencës në Treguesin Global të Fuqisë së Butë.
Raporti e lidh këtë përparim historik me metrikën kryesore të udhëheqjes së Kinës në automjetet elektrike, inteligjencën artificiale, energjinë e rinovueshme dhe platformat dgjitale në shkallë të gjerë si “TikTok” dhe “WeChat”, të cilat renditen përkatësisht si marka teknologjike e gjashtë dhe ajo e 11-të më e vlefshme në botë.
“Përveçse konsiderohet si një vend shumë i mirë për të bërë biznes, Kina konsiderohet edhe si një lider në teknologji,” tha për “Xinhua” kryetari dhe drejtori ekzekutiv i “Brand Finance” David Haigh.

