Raporti i progresit-gjyqësori, Nikollovska: Të ndryshohet funksionimi i Këshillit Gjyqësor
Shkup, 10 nëntor – Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vendin është pasqyrë reale e gjendjes së keqe e cila pikënisjet i ka shumë më herët, e që në vazhdimësi po thellohet. Kështu vlerëson ekspertja juridike, Margarita Caca Nikollovska, sipas së cilës edhe pse mungon dëshira dhe përpjekja për të ecur para, këtë duhet ta bëjnë politikanët së bashku me qytetarët. Ajo çka u tha për Këshillin Gjyqësor ishte e pritur. Kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor, ku raportet ndërnjerëzore janë në nivel shumë të ulët, nuk pritet të sjellin ndryshime. Edhe pse shumë herë u deklarua se ka ndikime politike për të cilat pat edhe dorëheqje dhe shkarkime, asgjë nuk u zbardh, vlerëson Nikollovska.
“Unë shpresoj se raporti i tillë negativ për Këshillin Gjyqësor do të nxit një diskutim pozitiv se si ajo të zgjidhet, ka modele të ndryshme të ekzistimit të Këshillit Gjyqësor dhe të shqyrtohen ato mundësi. Unë kam njohuri se si në vende të tjera funksionon ky trup. Tek ne funksioni nuk lë mundësi që të sanksionohen në mënyrë adekuate sjelljet e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe kjo vetëm se e përkeqëson gjendjen. Sipas meje është i nevojshëm një revizion i tërësishëm i Ligjit për Këshillin Gjyqësor në të cilin vlerësoj se duhet shumë çështje të sqarohen.”, – deklaroi ekspertja juridike, Margarita Caca Nikollovska.
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal ishin rezultat i interesave politike, thotë Nikollovska.
“E dini që do të ketë Kod të ri Penal dhe kjo dëshmon se sa ka qenë nevoja për këto ndryshimet e fundit. Kjo lë hapësirë që qytetarët vet të sjellin përfundime se ndryshimet e tilla nuk janë rezultat i sundimit të së drejtës, por rezultat i interesave politike. Unë nuk dua të ndërhyj në atë vlerësim, megjithatë është fakt se një situatë e caktuar në shtet jep pasqyrë për një qasje negative zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe në ndikimin e elementeve politike.”, – theksoi ekspertja juridike, Margarita Caca Nikollovska.
Edhe eksperti juridik, Fadil Xhelili, Raportin e progresit e vlerëson qortues dhe kritik, me theks të veçantë në sferën e gjyqësorit dhe punën e Këshillit Gjyqësor. Sipas tij, kjo situatë nuk i shërben hapave dhe reformave të RMV-së në rrugën evropiane.
“Puna e Këshillit Gjyqësor si asnjëherë më parë në raportet e kaluara përmendet në kontekst negativ për mostrasparencë dhe për vendime që janë të çuditshme dhe që nuk janë konform normave pozitive. E gjithë kjo është si rezultat i akumulimit të problemeve të mëdha në sistemin e drejtësisë, në ndërhyrjet e mëdha të faktorëve të jashtëm, qofshin ato për interesa politike, qoftë nga oligarkët e ndryshëm apo interesave të bizneseve të ndryshëm apo faktorë të tjerë.”, – theksoi eksperti juridik, Fadil Xhelili.
Një raport i tillë ka qenë i pritshëm edhe nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
“Është fakt që ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor janë të patjetërsueshme, gjithashtu e pamë se ne si koalicion përmes përfaqësuesit tonë do të jetë pjesë e grupit të punës për Këshillin Gjyqësor, por akoma nuk kemi njoftim zyrtar nga ministria. Propozimet tona në këtë drejtim sigurisht se do të ishin në shtrëngimin e kritereve dhe mundësisë për procedurë disiplinore në pjesën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe zgjerimin e listës së personave që do të mund të iniciojnë procedurë për anëtarët e Këshillit.”, – thuhet nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Sa i përket vërejtjeve për vjetërsimin e lëndëve e sidomos pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, Nikollovska thekson se kryetarët e Gjykatave Themelore do të ishte mirë sikur të bënin një kontroll të të gjitha lëndëve, për të vërtetuar nëse dhe sa janë afër vjetërsimit dhe me këtë të gjejnë përgjegjësinë për këtë gjendje.

