Raporti i KB-së: Koreja e Veriut po përgatitet për testimin bërthamor, i pari pas pesë viteve

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë testim bërthamor, që do të ishte testimi i parë që nga viti 2017.

Në raportin konfidencial dhe ende të papublikuar të KB-së theksohet se muajt e fundit janë vërejtur aktivitete të intensifikuara në instalimin nëntokësor bërthamor të Koresë së Veriut në pjesën veriore të vendit.

“Aktivitetet e punës në qendrën e testimit bërthamor Punxhi-ri tregojnë se po bëhen përgatitje për testime shtesë për zhvillimin e armëve bërthamore”, qëndron në dokument.

Regjistrimet satelitore tregojnë aktivitete të intensifikuara të ndërtimit në vendin Punxhi-ri, me rindërtimin e një rrjeti tunelesh nëntokësore dhe disa pjesë të kapacitetit që u shkatërruan në vitin 2018 gjatë negociatave me SHBA-në.

Sipas raportit të KB-së, muajve të kaluar janë intensifikuar edhe aktivitetet në kapacitetin për prodhimin e materialit të zbërthimit në uzinën bërthamore Jongbjon.

Vëzhguesit vlerësojnë se testimet e shumta të sistemeve raketore të afta për të mbajtur koka bërthamore të zbatuara në muajt e fundit po çojnë padyshim në një tjetër testim bërthamor, i  pari pas pesë viteve.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore prej muajsh ka vënë në dukje rritjen e aktiviteteve në vendin Punxhi-ri, ku Koreja e Veriut në periudhën midis viteve 2006 deri në 2017 ka kryer gjashtë testime bërthamore.

Për shkak të programit kombëtar për zhvillim të armëve bërthamore dhe testimeve të përforcuara të raketave me rreze të gjatë të afta të mbajnë koka bërthamore kundër autoriteteve në Phenian janë vendosur sanksione të rrepta.