Qeveria serbe lejoi eksport të miellit

Qeveria e Serbisë sot vendosi të lejojë eksport të miellit sepse është vlerësuar se kjo nuk do ta rrezikojë ofertën e tregut vendor, lajmëroi Beta.

Eksporti i miellit është mundësuar me ndryshim dhe plotësim të Vendimit për kufizim të përkohshëm të eksportit të prodhimeve themelore bujqësore-ushqimore të rëndësishme për popullatën, me të cilin janë vendosur kufizime kuantitative të eksportit në nivel mujor për disa prodhime të caktuara bujqësore-ushqimore.

“Oferta e miellit dhe grurit në tregun vendor është e mirë dhe eksporti i lirë i miellit nuk mund ta rrezikojë ofertën e tregut vendor, ndërkaq mundëson shkarkim të silosëve për pranim të korrjeve të reja, si dhe ruajtje të tregjeve tradicionale, duke pasur parasysh atë që Serbia është eksportuese tradicionale e miellit në tregjet e vendeve të rajonit”, ceket në kumtesë pas mbledhjes së Qeverisë serbe.

Ceket se eksporti i lirë i miellit do të ketë ndikim të shumëfishtë pozitiv ekonomik në tregun vendor, do të çojë drejt punësimit më të madh në kapacitetet përpunuese vendore dhe do t’u mundësojë mullinjve të sigurojnë para për blerje të rekoltës së re.

Eksporti i grurit dhe miellit nga Serbia, si dhe misrit dhe vajit, ishte ndaluar më 10 mars të këtij viti me qëllim që të sigurohet furnizimi i tregjeve gjatë krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ndërsa më 20 prill u miratuan kuota për eksportin e atyre mallrave.