Qeveria qetëson qytetarët shkupjanë: Ngrohje qendrore do të ketë pa ndërprerje

Shkup, 26 shtator – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdimisht ndërmerr masa për të siguruar furnizim të sigurt dhe stabil me energji termike për qytetarët e Shkupit. Për momentin po finalizohen bisedimet për prodhim të rregulluar të energjisë termike, bazuar në vendimin e miratuar më parë të Qeverisë për përzgjedhjen e aktiviteteve energjetike, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike. Sapo të përfundojnë të njëjtat, opinioni do të njoftohet në kohë.

Qytetarët e Qytetit të Shkupit do të kenë ngrohje qendrore, ndërsa sipas Ligjit për energjetikë garantohet që veprimtaria publike të kryhet në tërësi pa ndërprerje.

“Qeveria së bashku me institucionet kompetente po punon vazhdimisht për të siguruar burimet e nevojshme për prodhimin e energjisë termike me çmime sa më të favorshme në mënyrë që familjet të kenë shpenzime më të ulëta. Në veçanti, kërkohet zgjidhja më e mirë për sigurimin e çmimit më të ulët të gazit ose mazutit për të parandaluar rritjet e mëdha të çmimeve dhe për t’u mos u shtrenjtuar ngrohja”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Qeveria, qëndron në kumtesë edhe këtë vit ashtu si edhe vitin e kaluar, në përputhje me mundësitë ligjore, po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji termike për qytetarët e Shkupit.

Në periudhën e kaluar, ekipi ekonomik i qeverisë dhe departamentet energjetike kanë pasur disa mbledhje dhe takime rajonale, me qëllim sigurimin e burimeve të nevojshme energjetike në kushtet e krizës më të madhe botërore që kujtojmë në historinë më të re.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka deklaruar në fundjavë se derisa të zgjidhet një operator ekonomik, BEG duhet të dorëzojë energji ngrohëse. Në përputhje me ligjin, siç theksoi Bytyqi, BEG duhet të ketë edhe rezerva gazi dhe lëndë të tjera të para për të siguruar energji ngrohëse.

Nga kompania theksojnë se në përputhje me nenin 51 të Ligjit për energjetikën, kishin detyrim ligjor që të vazhdonin ushtrimin e aktivitetit, deri në skadimin e afatit prej 90 ditë për zgjedhjen e ushtruesit të ri të aktivitetit, i cili tashmë ka skaduar. Gjatë kësaj periudhe, thonë ata, BEG Prodhumtaria ka vazhduar të kryejë aktivitetin dhe ka kryer të gjitha aktivitetet e nevojshme në ngrohtoret në mënyrë që mbajtësi i ri i licencës të mund të fillojë pa probleme sezonin e ri të ngrohjes.

“BEG Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për shfrytëzimin e ngrohtoreve sepse marrëveshja është ndërprerë dhe pronari i ri i ngrohtoreve ka kërkuar dorëzimin e tyre. Gjithashtu, kompania është në pamundësi financiare për të kryer aktivitetin, për shkak të humbjeve të mëdha të shkaktuara në sezonin e kaluar të ngrohjes si pasojë e rritjes disafish të kostove për blerjen e energjisë dhe energjisë elektrike, të cilat nuk mbuloheshin nga tarifat e miratuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Për këto arsye më 09.06.2022 BEG – Prodhimtaria ka paraqitur kërkesë në KRRE për ndërprerjen e licencës me qëllim zgjedhjen e menjëhershme dhe pa probleme të bartësit të ri të licencës për aktivitetin e prodhimit të energjisë termike për sezonin e ri të ngrohjes. Më datë 20.06.2022 KRRE ka marrë vendim për ndërprerjen e licencës së BEG-Prodhimtari”, theksuan nga kompania.

Hapja publike e ofertave për zgjedhjen e kompanisë që do të prodhojë, shpërndajë dhe furnizojë me energji ngrohëse për konsumatorët në një pjesë të qytetit të Shkupit është mbajtur më 13 shtator. Ofertat janë dorëzuar nga SHPK ESM PRODHIMTARIA E NGROHJES Shkup, SHPK ESM SHPËRNDARJA E NGROHJES Shkup, SHPK ESM FURNIZIMI I NGROHJES Shkup, tre kompanitë që janë formuar pas revokimit të licencave të BEG.