Qeveria: Po përgatitet ueb-platformë për vendimet e izolimit, të dhënat do të jenë të mbrojtura

Shkup, 2 shkurt – Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, me Agjencinë për Mbrojtje të të Dhënave Personale po e përgatit modelin digjital për dërgim të informacioneve dhe vendimeve për izolim për qytetarët për shkak të konfirmimit të infeksionit ose për shkak të kontaktit me person pozitiv me Kovid-19.

Modeli, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Qeverisë, nënkupton se çdo qytetar i cili ka nevojë që të marrë vendimin e tij do të ketë qasje përmes ueb-faqes vetëm në vendimin e tij për izolim pa pasur qasje në të dhënat e qytetarëve tjerë të cilëve iu është dhënë vendim për izolim.

Për procedurën për qasje në vendime e cila do të zhvillohet përmes një ueb-platforme, qytetarët do të informohen me kohë në afatin e përcaktuar për zbatim të mënyrës së re të dërgimit të vendimeve për izolim për qytetarët, informojnë nga shërbimi për informim i qeverisë.