Qeveria i kufizoi të gjitha marzhat tregtare të prodhimeve ushqimore bazë

Shkup, 22 shkurt – Qeveria në propozim të Ministrisë së Ekonomisë në seancën e sotme mori Vendim për përcaktimin e marzhave më të larta tregtare të çmimeve shitëse të prodhimeve ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë që do të vlejnë nga 1 marsi deri më 31 maj të këtij viti.

Me vendimin përcaktohet që marzha më e lartë tregtare të jetë deri 5 për qind të çmimit shitës të llogaritur në tregtinë me shumicë, gjegjësisht deri 10 për qind të çmimit shitës në tregtinë me pakicë te buka, sheqeri, kripa, mielli – lloji 400, vaji i papërpunuar i lulediellit dhe vaji i lulediellit për ushqim, qumështi i qëndrueshëm me përmbajtje yndyre prej 2,8, 3,2 dhe 3,5 për qind, mishi i freskët dhe produkteve të mishit, djathi dhe gjiza, orizi, vezët, brumërat, misri dhe pemët e perimet.

“Duke pasur parasysh informacionet dhe analizat në terren se shpenzimet e prodhuesve të prodhimeve ushqimore bazë po rriten, ky vendim ka për qëllim të kufizohen tregtarët të bëjnë përfitim në kurriz të qytetarëve dhe të prodhuesve. Me këtë vendim kontrollohet rritja e çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë të mos ketë ndikim të madh mbi konsumin e qytetarëve duke pasur parasysh këtë që nga 1 maji pushon të vlejë vendimi për ngrirjen e çmimeve”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai theksoi se në listën e prodhimeve ushqimore bazë tani janë shtuar edhe pemët e perimet, misri, vaji i papërpunuar i lulediellit dhe kripa.

Nëse tregtarët nuk i përmbahen këtij vendimi, siç paralajmëroi, do të vijojnë gjoba.

“Për shkeljen e këtyre masave sipas nenit 30 të Ligjit për tregti janë paraparë gjoba në vlerë prej 800 deri 1.000 euro në kundërvlerë të denarit për një tregtar mikro, prej 1.600 deri 2.000 për një tregtar të vogël, nga 3.000 deri 6.000 për një tregtar të mesëm dhe nga 7.000 deri 10.000 për një tregtar të madh”, tha Bekteshi.

Në periudhën e ardhshme, siç tha, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të dalë në terren me kontrolle të përforcuara te tregtarët dhe u bëri thirrje qytetarëve të cilët do të vërejnë rritjen e çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë të raportojnë në numrin pa pagesë 191 të ISHT.