Qeveria e re në fokus subvencionimin e bujqve për nxitje të prodhimit vendor!
Shkup, 5 shtator – Qeveria e re në muajt e parë të punës ka vë në pah fokusin e veçantë në drejtim të ndihmës së bujqve përmes subvencionimit. Ndihma apo subvencioni që u ndahet bujqve sipas kategorive të ndryshme është nxitje e qartë për zhvillim dhe shtim të prodhimit vendor. Sa më shumë prodhim vendor aq më të lira produktet bujqësore dhe aq më i pavarur vendi. Sikurse ishte rasti i luftës në Ukrainë, kriza me grurin vërehej gjithandej. Prandaj, nëse jo për të eksportuar të paktën për nevojat e brendshme të qytetarëve të vendit, shkruan Zhurnal.
Nxitja e bujqve të rinj bëhet përmes stimulimit, e kjo prodhon efekte pozitive në bujqësinë e vendit –
Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungonin politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si ajo e luftës në Ukrainë vendi përballej me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.
Subvencionet bujqësore janë ndihmë shtetërore për bujqit që aplikohen kudo në botë, ngjashëm edhe në vendin tonë. Por për dallim prej shteteve tjera ku duhet plotësuar kritere të natyrave bujqësore për shfrytëzimin e këtyre ndihmave, në vendin tonë ka pasur situata që bujqit kanë paraqitu pakënaqësi se po diskriminohen në baza etnike.
Megjithatë, tani Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajt e parë të punës ka marrë vendim që të dyfishojë çmimin e subvencionimit për prodhuesit e elbit.
“Në seancën e djeshme të qeverisë morëm vendim për rritjen e subvencionit dhe dhënien e 3 denarë shtesë për kilogram për prodhuesit e grurit, duke marrë parasysh konkurrencën rajonale. Ne duam t’i mbajmë sepse kjo është një kulturë strategjike për ne dhe duhet të kujdesemi për njerëzit që merren me prodhimin e grurit, njëkohësisht do të shtoj këtu edhe prodhuesit e elbit”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai tha se rritja do të jetë dyfishi i subvencionit për hektar për elb nga 6.000 denarë në 12.000 denarë.
“Nëse deri më tani subvencioni për hektar ka qenë rreth 6.000 denarë, në mbledhjen e djeshme kemi marrë vendim që të dyfishohet, gjegjësisht në 12.000 denarë, duke marrë parasysh çmimin e ulët të blerjes së elbit prej 9 denarë për kilogram, kështu që vazhdojmë të mbështesim të gjithë ato që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në Maqedoni. Kjo është ajo që është në interesin tonë dhe politikën e kësaj qeverie”, tha Mickoski.
Tani në këtë përbërje të re qeveritare shpresohet që nuk do të ketë diskriminime në ndarje të subvencioneve e tokës bujqësore. Pasi qasja e kaluar përmes diskriminimeve etnike edhe në toka bujqësore ka ndikuar në shtimin e ekzodit masiv të të rinjve shqiptarë që të braktisin vendin e tyre në kërkim të një vendi ku ka punë e mirëqenie sociale, ku nuk vlerësohesh me kriter etninë, ku ka jetë mbi të gjitha.
Shqiptarët përgjatë kohës që kanë qenë të pa arsimuar shpëtim e zgjidhje të vetme për mbi jetesë ka qenë puna bujqësore, pa çka se në vazhdimësi janë diskriminuar sërish kanë vazhduar alternativë tjetër nuk kanë pasur, sepse arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut atë kohë nuk ka qenë as e imagjinuar.
Por, me kalimin e kohës arsimimi i shqiptarëve në vend e jashtë vendit ndikoi dukshëm në rritjen e vetëdijes dhe hapjen e diapazonit edhe për këtë popull të shtypur në çdo sferë, me çka kuptuan se nga ajo punë e lodhshme nuk marrin shpërblimin e duhur. Përpos kësaj e kuptuan që kolegët e tyre bujq maqedonas përfitonin nga shteti e stimuloheshin. Prandaj gjenerata e reja duke qenë dëshmitarë të asaj që kanë përjetuar prindërit e tyre kanë hequr dorë nga bujqësia.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka 1 milion e 265 mijë hektarë tokë bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, 517 mijë hektarë u shfrytëzuan si tokë e punueshme për kultivimin e produkteve bujqësore, përderisa pjesa tjetër u shfrytëzua për kullota.
Tri dekada më parë kanë qenë 660 mijë hektarë tokë e punueshme bujqësore, që i bie se kanë qenë 150 mijë hektarë më shumë sesa tani. Maqedonia e Veriut brenda vitit ka nevojë për 200 mijë tonë grurë, ndërkohë që këtë vit pritet të prodhohen rreth 50 tonë më pak nga kjo vlerë, dhe pjesa tjetër e kërkesës duhet të importohet.
Të dhënat e Entit shtetërorë të Statistikave thonë se Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 700 milionë eurosh, ndërkohë që ka eksportuar diçka më pak se 400 milionë euro. Bujqit thonë se shteti duhet të mendojë seriozisht rreth subvencioneve dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për blerje e prodhimeve vendore, për të mbajtur gjallë sektorin e bujqësisë, i cili është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit. /Zhurnal.mk