Qasja diskriminuese ndaj shqiptarëve në Shkup vazhdon edhe me Arsovsken

Shkup, 19 prill – Largimi i gjuhës shqipe në Qendrën Informative Kulturore (QIK) në qytetin e Shkupit ka ngjallur reagime në opinion. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela ka kërkuar dënim për drejtorin e ri nga ana e Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve. Nga ky inspektorat theksojnë se kanë bërë vërejtje për më shumë institucione që nuk e respektojnë ligjin. Pas vërejtjeve, theksojnë nga ky institucion, do të pasojnë gjobat.

Drejtori i  ri në QIK, Antonio Dimitrov, ka hequr gjuhën shqipe menjëherë pas marrjes së postit drejtues në këtë institucion. Ndërkohë që me udhehëqisinë paraprake ky institucion komunikonte edhe shqip, tashmë QIK komunikon vetëm në gjuhën maqedonase.

Gjithashtu, njoftimi i drejtorit është vetëm në gjuhën maqedonase.

Pas akademikëve maqedonas që u shprehën kundër shqiptarëve e kundër gjuhës shqipe në mënyrë publike pas shpalljes së rezultateve të regjistrimit të popullsisë, pason veprim i ngjashëm nga instanca të ndryshme. Ata kishin vlerësuar se gjuha shqipe paraqet rrezik për vendin, ndërsa ky i fundit duke tentuar të menjanojë rrezikun e paralajmëruar ka larguar gjuhën shqipe tërësisht.

Kjo është e pa pranueshme, është diskriminim publik e i hapur nga një drejtor i cili është në atë pozitë edhe me votat e shqiptarëve.

Kot valonte flamuri i shqiptarëve para selisë së VMRO-së në fitoren e Arsovskes për kryetare të qytetit të Shkupit, qasja ndaj shqiptareve sërish e njëjtë të diskriminuara e të ofenduar, të pa përfaqësuar aty ku duhet.

I pari i cili ka komentuar rreth heqjes së gjuhës shqipe nga faqja e internetit të Qendrës Informative Kulturore pas emërtimit të Antonio Dimitrov si drejtor na ana e Qytetit të Shkupit, është kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ai tha se i takon Inspektoratit për Implementimin e gjuhës shqipe që të shqiptojë dënim ndaj drejtorit në fjalë.

“U bëj apel Inspektoriatit pë Implementimin e gjuhës shqipe që të shkojë dhe ta dënojë atë drejtor, çdo ditë dhe sa herë që ai shkel ligjin, jo vetëm atë, por çdo drejtor që shkel ligjin. Unë formë tjetër nuk kam sepse nuk jam kryetar i Qytetit të Shkupit, nëse do të isha, ai nuk do të ishte as 24 orë më në krye të asaj detyre”, ka thënë Sela.

Drejtori Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela ka theksuar se nëpërmjet nenit 19 të ligjit, AZGJ-ja nuk ka për detyrë të merret me institucionet për t’iu dhënë vërejtje apo gjoba, përveç se t’i mbështes ato.

Ndërsa, Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit për implementimin e gjuhës shqipe ka thënë se nga ky Inspektorat janë dhënë 23 vërejtje në institucionet të cilët nuk e zbatojnë ligjin, dhe nëse edhe pas vërejtjes së bëra nuk ka zbatim të ligjit atëherë bëhet gjobitja.

Kujtojmë se në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në komunat ku 20% i qytetarëve janë shqiptarë, institucionet që gravitojnë në atë komunë duhet të komunikojë edhe në gjuhën shqipe. Ndërkaq, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në qytetin e Shkupit jetojnë 22.85% shqiptarë, që i bie se drejtori në fjalë e shkel edhe Kushtetutën.

Madje javë më parë sipas disa akademikëve dhe ish politikaneve maqedonas, gjuha shqipe është e rrezikshme, por është e kaluara dhe praktika që e dëshmon të kundërtën. Se gjuha shqipe nuk është e rrezikshme e dëshmon fakti se deri më tani në asnjë proces gjeo-strategjik të vendit nuk ka qenë pjese e negociueshme. Pra, nuk i pengon askujt sepse nuk është e askujt tjetër përpos e shqiptarëve dhe rrënjët e gjuhës shqipe janë të shqiptarëve.

Pikërisht, gjuha me të cilën flitet se gjuha shqipe është e rrezikshme, është e rrezikshme. Pra, në gjuhë maqedonase thuhet se gjuha shqipe paraqet rrezik, harrojnë që gjuha maqedonase po bllokon edhe procesin euro-integrues të vendit, duke qenë pjesë e diskutimit në tavolinë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Gjuha shqipe është gjuhë e ëmbël, prandaj nuk duhet të krijojë ashpërsim ndaj askujt me askënd, por bashkim e dakordim që edhe populli shtetformues mos të ndjehen të përjashtuar duke u identifikuar me përqindje.

Dhe, kjo po dëshmon qartazi se gjuha shqipe nuk është dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku për vendin, por janë pikërisht ata persona që e shohin të rrezikshme gjuhën shqipe shpërfaqin ndjenjat e tyre diskriminuese e shtypëse, nuk përballojnë dot drejtësinë./Zhurnal.mk