Pushteti bën thirrje për bashkim, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Shkup, 30 shtator – Shumica parlamentare është stabile dhe aktualisht numëron 64 deputetë, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Kuvendi u bëri thirrje të gjithë aktorëve shoqërorë që të ngrihen para sfidës së momenteve vendimtare për kompletimin e shtetësisë, përmes anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski, dje tha se VMRO-DPMNE po kërkon dhe po punon për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se nuk do të ndërhyjë në atë nëse Qeveria do të ketë apo jo shumicë.

“Shumica parlamentare është stabile dhe aktualisht ka 64 deputetë”, tha dje kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në takimin e rregullt me ​​gazetarë.

I pyetur nëse ndonjë nga deputetët e BDI-së ka ndryshuar statusin e tij në deputet të pavarur, Xhaferi tha se nuk ka pasur një njoftim të tillë dhe se statusi zyrtar është “deputet të BDI-së”.

“Secili ka të drejtë të shprehë statusin e tij si deputet dhe ka liri në këtë. Nuk ka asnjë njoftim. Statusi zyrtar është deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim, tha kryetari i Kuvendit.

Xhaferi nuk ka dashur t’i komentojë zhvillimet në partinë e tij, BDI, pasi anëtarët e kësaj partie përmes një letre të hapur për opinionin kanë akuzuar se organet statutore të partisë nuk kanë ekzistuar dhe nuk janë formuar në parti për gati dy vjet dhe se vendimmarrja politike ishte bërë individuale.

Ai thotë se nuk ka komunikim as me koordinatorin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, i cili nuk vjen në mbledhjet e rregullta të hënën, dhe siç tha ai, nuk kanë as takime joformale sepse janë keqpërdorur.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve shoqërorë që të përballen me sfidën e momenteve vendimtare për kompletimin e shtetësisë, përmes anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Qytetarët tanë e presin këtë. Vendi ynë ka nevojë për këtë dhe ne jemi gati ta bëjmë. Ka ardhur koha e bashkimit, koha e guximit dhe e lidershipit, dhe ne jemi të gatshëm të japim dorën duke tejkaluar veten dhe interesat e ngushta partiake, tha Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit.

Sipas liderit të opozitës, vetëm zgjedhjet e parakohshme mund ta shpëtojnë vendin nga disfata të mëtejshme.

“A ka apo jo Qeveria një shumicë stabile, nuk do të hyj në detaje të tilla, por ajo që dua të them është se VMRO-DPMNE po kërkon dhe punon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse vetëm zgjedhjet e parakohshme mund ta shpëtojnë Maqedoninë dhe qytetarët e saj nga humbjet shtesë. Gjithçka tjetër është vetëm një varg humbjesh të mëtejshme, tha Mickoski dje në konferencë për shtyp.