Punëtorët e DAP në rrugë për paga më të larta, zyrtarët edhe këtë muaj vazhdojnë me pagat mbi 2 mijë euro!
Shkup, 15 qershor – Prej kur Kovaçevski është kryeministër nuk ka mbet askush pa protestuar, nëse flasim për qytetarët që mbijetojnë në tokë, sepse ata që jetojnë nën tokë po tregohen më korrekt me këtë kryeministër spontan. Të fundit që po protestojnë në rrugë janë të punësuarit në DAP Maqedoni të cilët çdo ditë do të mbajnë grevë nga dy orë. Por, në realitet kush mbeti pa protestuar prej kur Kovaçevski është kryeministër, përgjigja më korrekte do të ishte gjithkush po proteston, por protestat më të dhimbshme janë ato në heshtje pa zhurmë përmes largimit nga vendi. Dhe, tani kur shohim rritjen e pagave për zyrtarë prej 78%, kuptojmë që klasa punëtore janë të pa vlerësuar në këtë vend. E këtë gjë e kanë mirëpritur shumë politikanë, duke thënë që paga duhet të jetë burimi i vetëm i pasurisë për politikanët, deklaratë sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk shohin se si pasurohen këta politikanë, shkruan Zhurnal.
Të punësuarit në DAP Maqedoni çdo ditë do të mbajnë grevë nga dy orë, kërkojnë paga më të larta –
Punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike(DAP), duke filluar nga sot, çdo ditë në vijim nga ora 10:00 deri në 12:00 pasdite, do të bëjnë grevë pa kryer detyrat e tyre të punës nga vendi i punës. Nga atje paralajmërojnë se ekziston mundësia që të krijohen “situata të padëshiruara” si mos përmbushje e detyrave të punës dhe obligimeve të punonjësve gjatë një greve të mundshme të përgjithshme. Dy ditë më parë ata mbajtën protestë duke nisur nga ora 11:00 para godinës së Ministrisë së Financave.
Punonjësit thonë se më herët është arritur marrëveshje me ministrinë, por për arsye të panjohura ende nuk është nënshkruar nga ministri Financave, Fatmir Besimi. Ata paralajmëruan se do të detyrohen të fillojnë një grevë të përgjithshme dhe bllokadë të plotë, nëse marrëveshja nuk përmbushet.
“Në përmbajtjen e marrëveshjes së treguar është përcaktuar rritje e pagave të punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, e cila është legjitime dhe e vendosur sipas dispozitave të nenit 66 të Ligjit për Buxhetin. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut konfirmoi zbatimin e tillë të nenit të përmendur duke dhënë interpretimin e tij autentik. Më parë, grupet e punës të deleguara nga punëdhënësi dhe organizata përfaqësuese sindikale solidaritet kanë përgatitur dhe kanë pranuar bashkërisht përmbajtjen e Kontratës së re Kolektive në nivel të punëdhënësit”, thuhet në njoftimin e punonjësve.
Ndryshe, kur punëtorët shëndetësorë, arsimor, e të tjerë kanë nevojë të patjetërsueshme për rritje të pagave për të mbijetuar këtë duhet ta bëjnë përmes formave të ndryshme, bojkot, grevë, e duke dalë në rrugë. Por, tani zyrtarëve u rritet paga vetëm me anë të ndryshimit të një ligji, madje as pa kërkuar. Këtu shihet qartë diferencimi nga të qenurit qytetarë dhe punëtorë në RMV dhe të qenurit zyrtar, kjo është fyerje dhe ofendim për klasën punëtore. Nuk duheshe të rriten pagat e zyrtarëve duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në vend, është gabim skandaloz dhe pasqyrim real se sa zyrtarët brengosen për qytetarët.
Rritja e pagave për zyrtarë për 78% është absurde përderisa rritja e pagave në sektorët tjerë nuk e ka kaluar 15 përqindëshin asnjëherë –
Rritja e pagave me një sasi enorme vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave. “Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski.
Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.
Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro. /Zhurnal.mk

