Punë ka, por të rinjtë kërkojnë qetësi, dinjitet dhe drejtësi

Shkup, 24 maj – Përderi sa vendi po përballet me krizën e shumëfish, të rinjtë nuk po gjejnë dot durim e shpresë që të qëndrojnë brenda vendit dhe të presin deri në qetësimin e gjendjes së çrregulluar. Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport e Maqedonisë së Veriut, çdo i treti i ri do që ta lëshojë vendin pas mbarimit të shkollimit. Kjo ikje e të rinjve bëhet në mënyrë të heshtur pa bërë zhurmë, një termin në ambasadën Gjermane dhe një biletë pa kthim. Dëmi më i madh që mund të i shkaktohet një vendi është ta lësh pa të rinj, që i bie se vendi është pa të ardhme. Me një dëm të tillë po përballet edhe Maqedonia e Veriut, shkruan Zhurnal.

Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport në RMV, e realizuar nga periudha janar-mars 2022,  çdo i treti i ri do që ta lëshojë vendin pas mbarimit të shkollimit. Si arsye kryesore llogariten, mos pasja e mundësive të barabarta, mungesa e drejtësisë, nepotizimi, si dhe mungesa e arsimit cilësorë në të gjitha nivelet etj.

Kjo është shqetësuese për vendin por jo edhe për udhëheqësit e vendit kur bie fjala për kampin shqiptarë meqë edhe janë numri më i madh i qytetarëve që ikin nga vendi. Kryetari i BDI-së në dy paraqitjet e tij të fundit ka folur për këtë dukuri posaçërisht, ku herën e parë pati thënë se këta që ikin nuk janë patriotë dhe herën e dytë fuqishëm deklaronte se në vend ka punë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në emisionin “Klan Debat” ndër tjerash ka folur edhe për ikjen masive të rinisë nga Maqedonia e Veriut dhe të gjithë ata që braktisin Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas Ali Ahmetit nuk janë patriota.

“Me ju thanë njerëzve pse po largoheni ju? Ju nuk jeni patriota që e braktisni vendin. Nuk mundesh t’iu bësh 2.000 euro rrogën“, janë fjalët e Ahmetit të thëna gjatë emisionit.

Por ajo që është e rëndësishme të thuhet është se rinia po largohen apo po dëbohen, po kërkojnë paga 2.000 euro apo po kërkojnë kushte elementare për jetesë: punësim, drejtësi, dhe meritokraci.

Pra, është absurde të thuhet se të rinjtë presin paga 2.000 euro, për faktin se rinia nuk mund të flet për paga e aq më pak të kërkojë shuma të mëdha përderi sa nuk janë as të punësuar e nuk mund të punësohen asesi aty ku duan dhe duhet të jenë.

Rinia nuk po largohet vetëm për shkak të papunësisë dhe kushteve ekonomike, arsye të tjera për largimin e rinisë nga vendi janë edhe shumë të tjera duke filluar nga mungesa e një arsyeje të vetme pse të qëndrojnë. Në vendin që rastet montohen, persona të pafajshëm viktimizohen, padrejtësi në organet e drejtësisë, institucione arsimore të mbushura me njerëz të pa arsimuar, spitale që edhe vizitorët e pacientëve sëmuren e lëre më të sëmurit që shpresat e shërimit i kanë te lutjet lartë në qiell…

Këto dhe shumë faktorë të tjerë dëshmojnë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti ashtu si duhet, dhe personave të dëbuar nuk u kërkohet llogari për mos qëndrimin e tyre në vendin e dëbimit.

“Rinia që largohet nuk janë patriota”, por tani mbetet enigma se kush janë patriotët?. Këta që po qëndrojnë në vend e po korruptohen duke u zbuluar dita ditës secili prej tyre, këta që po jetojnë në vila luksoze e voziten me vetura me xhama të zi, këta që interesin personal e kanë para atij kolektiv, këta që me besimin e popullit e dëbojnë rininë. Janë shumë pyetje, përgjigjet e së cilave do të na jep koha.

Fundja rinia nuk ka nevojë të shquhet për patriotizëm, sepse shumë veprime skandaloze janë bërë edhe në emër të patriotizmit. Pra, fjala “patriot” do të thotë me e dashtë vendin dhe popullin, por vendi që duhet nuk vidhet e populli që duhet nuk dëbohet në emër të patriotizmit.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë në pah se në Maqedoninë e Veriut është ulur dukshëm numri i të rinjve, me këtë dhe i fuqisë punëtore.

Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.

Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit.

Pasojat sociale dhe ekonomike të ikjes së të rinjve

Edhe sektori ekonomik dhe ai social dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejt nga ikja e të rinjve. Interesimi i lartë i të rinjve e lë vendin pa fuqi punëtore. Kjo do të reflektojë edhe në ngadalësimin e ritmit të zhvillimit ekonomik. Tregues i lartë që edhe për gjatë kohë vendi do të ngec pa pasur ndonjë progres ekonomik.

Shteti duhet të krijojë oferta reale për investitorët ndërkombëtarë, që do të gjeneronin vende të reja pune. Sidomos në pjesët e banuara me shqiptarë që vendet e ato rajone kanë mbetur të pa zhvilluara, e ende figurojnë në hartat e investitorëve si zona rreziku për investim. Pasojat e këtij fenomeni janë më të gjera sesa vetëm ekonomike. Me largimin e rinisë zvogëlohet potenciali krijues e kreativ. Përpos kësaj pasuria sociale do të shkojë drejt varfërisë me çka vendi do të përballet me krizën e pa parë më parë “mungesë banorësh”. /Zhurnal.mk