Pse së shpejti do të barazohen çmimet e veturave elektrike dhe ato me benzinë?!

Që nga mesi i vitit 2023, një raport nga qeveria australiane, një nga prodhuesit kryesorë të litiumit, njoftoi një rënie të lehtë të çmimeve, ndërsa një ulje shumë më e madhe ishte parashikuar për vitin 2024.

Çmimet mund të bien me pothuajse 40 për qind, duke arritur një mesatare prej 2,740 dollarë për ton dhe me gjasë 2,149 dollarë në vitin 2025, megjithëse këto vlera janë ende mbi 671 dollarë për ton të regjistruar në 2021.

Ulja e kostos së lëndëve të para për bateritë litium-jon është një lajm i mirë për industrinë e automjeteve elektrike sepse pasojat mund të çojnë në uljen e çmimit të shitjes së automjetit, që është një nga disavantazhet që pengon popullarizimin e tyre.

Mineralet bazë për prodhimin e baterive, litiumi, kobalti dhe nikeli, po bëhen më të lira. Gjegjësisht, karbonati i litiumit ka rënë në rreth 11 mijë dollarë për ton këtë vit, që përfaqëson një rënie prej më shumë se 80 për qind nga kulmi i tij në vitin 2022 dhe 2023, kur arriti në 70 mijë dollarë.

Sipas parashikimeve të CIC energiGUNE (Qendra Kërkimore për Ruajtjen e Energjisë Elektrokimike dhe Termike), kjo rënie mund të shënojë fillimin e një ndryshimi thelbësor në çmimet e baterive, me pasoja të konsiderueshme në industri. Të dhënat e BloombergNEF e konfirmojnë këtë.

Çmimi mesatar i një pakete baterie u ul në 139 dollarë për kWh këtë vit, një rënie prej 14 për qind nga 161 dollarë për kWh në 2022. Kjo është rënia më domethënëse që nga viti 2018, kryesisht për shkak të çmimeve më të ulëta të lëndëve të para.

BloombergNEF pret që çmimet të bien në më pak se 100 dollarë/kWh deri në vitin 2027, që konsiderohet si pragu për përputhjen e çmimeve me automjetet me benzinë.