Provokimet dhe kërcënimet tensionojnë marrdhëniet Bullgari – Maqedoni e Veriut

Shkup, 26 janar – Dje, Bullgaria tërhoqi ambasadorin e saj nga Maqedonia dhe paralajmëroi ndërprerje të mundshme të projekteve ndërqeveritare pasi ministri teknik për punë të jashtme Nikolai Milkov dhe ambasadori bullgar Angel Angelov u dëgjuan në Komisionin për Punë të Jashtme pas sulmit ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër. Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë njoftoi se gjatë ditës do të dalin me qëndrim në lidhje me tërheqjen e ambasadorit bullgar.

Më parë, përfaqësues të qeverisë në vend në deklarata për mediat dënuan çdo lloj dhune, provokimi dhe prishje të marrëdhënieve me fqinjin lindor. Mesazhe se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë si model suksesi janë njësoj të domosdoshëm për vendet anëtare të BE-së dhe për vendet që janë në rrugë për t’u anëtarësuar në BE, dërguan zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçyk.

Kreu i diplomacisë bullgare tha dje pas takimit në Komisionin për Punë të Jashtme se “nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet kështu, është e mundur që Bullgaria të vendosë sërish veto”.

  • Për të vazhduar rrugën e saj evropiane, Maqedonia duhet t’i respektojë obligimet e marra në kuadër të propozimit evropian. Nuk ka nevojë që Bullgaria të bëjë asgjë, por të sigurojë përmbushjen e detyrimeve që ka marrë përsipër Maqedonia. Në vetë propozimin nuk ka afate, ato mund të mos respektohen me dekada, që do të thotë se negociatat nuk do të fillojnë – tha Milkov.

Kthimi i vetos, sipas eurodeputetit bullgar Ilhan Kyçyk, do të ishte një gabim i madh dhe do të përkeqësonte marrëdhëniet dypalëshe.

– Do të ishte një gabim i madh. Vetoja nuk ndikoi pozitivisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në asnjë mënyrë. Krejt e kundërta. Provokimet filluan, pak a shumë, menjëherë pas vendosjes së vetos – tha Kyçyk për BNR.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur me sekretarin e klubit bullgar në Ohër është e dënueshme dhe këtë e kanë thënë edhe institucionet evropiane. Kyçyk e konsideron të lartë tensionin mes dy vendeve, i cili shtrihet në shumë drejtime dhe beson se do të ketë një vit shumë të stuhishëm, joproduktiv dypalësh, shkruan Zhurnal.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në një deklaratë për media ka dënuar çdo lloj dhune, duke thënë se si shtet kemi ndërtuar mekanizma institucionalë, ligjorë dhe proceduralë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në nivelin më të lartë në Evropë.

  • Unë gjithmonë e kam dënuar dhe do ta dënoj dhunën e çdo lloji. Të gjithë duhet të sillemi me dinjitet në vendin tonë dhe presim që të gjithë qytetarët e huaj të sillen në të njëjtën mënyrë kur të vijnë tek ne – tha Kovaçevski.

Të gjithë ata që nuk duan të na shohin si anëtarë të BE-së dhe që bëjnë provokime, tha Kovaçevski, po e bëjnë këtë pikërisht për këtë arsye. Të tillë ka në vendin tonë, por edhe në Bullgari.

Sipas Kovaçevskit, institucionet duhet të veprojnë në përputhje me ligjin për të gjithë ata që nxitin provokime dhe duan të prishin marrëdhëniet në shtet dhe në mes shteteve në rajon.

“Kjo vlen edhe për qytetarët tanë, por edhe për qytetarët nga jashtë, të cilët dëshirojnë të vijnë në vend dhe këtë e bëjnë pa marrë parasysh se nga cili shtet vijnë”, tha Kovaçevski.

Lidhur me shënimin e përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, i cili konsiderohet si ngjarje me rrezikshmëri të lartë, siç theksoi kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, Kovaçevski tha se do të bëhet gjithçka që është në kompetencë të Qeverisë. në mënyrë që të ketë respektim paqësor dhe dinjitoz.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, premton se do të bëhet gjithçka për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe rendit publik.

  • Ne e dimë se kemi struktura radikale që për hir të disa interesave personale, politike e të llojllojshme të tjera duan të prishin atë proces të stabilizimit të marrëdhënieve nga njëra anë. Në anën tjetër, nuk duhet të lejojmë që të cenohet siguria e qytetarëve tanë – tha dje Spasovski.

Pas seancës së Këshillit të Sigurimit që u mbajt të hënën, presidenti Pendarovski në një deklaratë për media tha se më 4 shkurt pritet të arrijë në vend një grup i organizuar për të shënuar përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit dhe se qëllimi është prishja e sigurisë dhe marrëdhëniet me Bullgarinë. Këshillit të Sigurimit iu kërkua të ndalonte hyrjen e një eurodeputeti dhe disa personave të tjerë në vend.

Pas kësaj ka reaguar eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski, i cili ka njoftuar se më 4 shkurt do të marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, i cili me një njoftim në rrjetet sociale në mënyrë indirekte ka kërcënuar presidentin Pendarovski me atentat.

  • Çfarë përfaqëson për ne një ndalim i tillë? Më lejoni t’i them Stevo Pendarovskit, të quajtur Stevo Kominterna, se në të kaluarën të tjerë u përpoqën t’i ndalonin liderët e VMRO-së të hynin në Maqedoni, dhe shembulli i fundit i tillë ishte me mbretin jugosllav serb Aleksandar Karagjorgjeviq. Nëse përpiqen të më ndalojnë hyrjen në Maqedoni, le ta shikojnë historinë dhe le të mësojnë prej saj – ka shkruar Xhambaski, informon Zhurnal.

Nga Zyra e Presidentit Pendarovski nuk e komentuan deklaratën e Xhambaskit, duke theksuar se qëndrimet e presidentit janë dhënë pas seancës së Këshillit të Sigurimit dhe tani në krye të saj është Qeveria.

  • Lidhur me pyetjet nuk kemi koment shtesë. Mendimet e presidentit Pendarovski u dhanë pas seancës së Këshillit të Sigurimit. Për hapat e mëtutjeshëm, përgjegjësitë i ka Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut – theksojnë nga Zyra e Presidentit.

Deklarata e Xhambaskit u dënua nga MPJ, nga ku njoftuan se në rrugë diplomatike është informuar edhe MPJ bullgare.

Në këtë rast, Ministria do t’i rekomandojë edhe presidentit që të reagojë në mënyrë adekuate ndaj kolegut të tij, presidentit Radev, dhe për këtë sjellje do të kërkohet njoftim dhe kërkesë për distancim nga kryetari i Parlamentit Evropian. Kërcënimet, deklaratat e kërcënimeve, njoftimet janë çështje me të cilën merren organet e sigurisë, presim që seriozisht t’i marrin parasysh deklaratat e fundit të Xhambaskit dhe të marrin vendimin e duhur për qasjen e tij të kufizuar në vend – thuhet në reagimin e MPJ-së në Maqedoni.

Ministri i Punëve të Brendshme dje në pyetjen e një gazetari nëse Xhambaski do të lejohet apo kthehet prapa në kufi, ministri i Brendshëm tha se atë ditë (më 4 shkurt) do të vendoset. – Do të vendosim më 4 shkurt, tha Spasovski./Zhurnal.mk