Protestuesit për Rexhail Qerimin: Thirrjet tona i drejtohen ndërkombëtarëve

Shkup, 4 shkurt – Në marshin protestues të organizuar për Rexhail Qerimin shqiptarët e Maqedonisë kanë kërkuar drejtësi për të gjithë rastet e montuara.

Para objektit ku ndodhet Delegacioni i BE-së në qendër të Shkupit familjarët e të përfshirëve në këto raste theksuan se do të paraqesin kërkesë për përfshirjen e komuniteti ndërkombëtar me ekspertë ligjorë për kryerjen e ekspertizës në disa vendime gjyqësore në të cilat janë dënuar shqiptarët.

Sipas familjarëve vendimet e deritanishme ndaj të burgosurve në këto raste janë politike.

“Politika e dirigjon gjyqësorin, po luhet politikisht me rastet e montuara. Trembëdhjetë vjet kemi kërkuar drejtësi dhe gjithë kohën na kanë gënjyer se do të zgjidhet çështja. Nga ana tjetër kërkesat e maqedonasve pranohen për tre ditë”, theksoi Jetullah Qerimi.

Njëri ndër organizatorët e protestës, Nagip Jonuzi, tha para mediave se s’janë ngritur për herë të parë dhe të fundit.

“Po ia bëjmë me dije ndërkombëtarëve për rastet që kanë ndodhur. Këto raste janë të montuara. Vdekja në rrethana të dyshimta të Rexhail Qerimit, rasti i tij dhe rastet e tjera nuk do të përfundojnë këtu. Thirrjet tona i drejtohen institucioneve ndërkombëtare”, tha ai.