Protestë për shkak të hapjes së kazinos para një kopshti në Tetovë

Tetovë, 22 shkurt – Lëvizja kundër bixhozit në Tetovë sot organizoi protestë në shenjë revolte që po lejohet hapja e një kazinoje para një prej kopshteve në Tetovë.

Anëtarë të Lëvizjes dhe mbështetës e bllokuan komunikacionin para kopshtit në qarkoren në bulevardin “Vidoja Smilevski-Bato” dhe rrugën “Vëllezërit Milladinovi”.

“Ndërmorëm obligim dhe detyrë në mënyrë energjike të luftojmë kundër poshtërimit dhe shkatërrimit që po na ndodhë ngadalë dhe në mënyrë të përhershme, prandaj insistojmë në modelin e ekzistencës: respektim të ligjit aktual dhe mbyllje të të gjitha objekteve të lojërave të fatit deri në miratimin e ligjit të ri të pranueshëm për qytetarin më parë në Greqinë fqinje, tani në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa sipas informatave që i kemi, do të miratohet edhe në Mal të Zi. Nuk dëshirojmë të jemi pjesë e konfrontimeve politike, edhe pse beteja jonë varet kryesisht nga politika, prandaj do të jemi të detyruar t’i demaskojmë lojërat e dyfishta kush do që i luan, si dhe ta ngrisim vetëdijen tek qytetari dhe prindërit të jenë në mbrojtje të familjeve tona”, theksoi Xhemal Abdiu nga Shoqata.

Ai deklaroi se prej nëntorit të vitit 2016, prej kur filluan me iniciativën, vazhdimisht përballen me ndryshim të pushtetit, e kjo do të thotë, siç tha, edhe luftë e re në drejtim të miratimit të ligjit adekuat për lojërat e fatit.

“Objektin afër universitetit arritëm të mos hapet dhe prej atëherë disa qeveri janë ndërruar, Secili propozim ligj për lojërat e fatit që jepet është gjithnjë më i keq e më i keq”, tha Abdiu.

Ai sqaroi se nuk dakordohen me propozimin aktual, duke cekur se është shumë larg kërkesave të tyre.

“Më e keqja është që në propozimin e fundit, absolutisht edhe kopshtet nuk janë përfshirë. Prandaj sot protestojmë. Nuk mundet afër reklamës për pampersë, të ketë reklamë të kazinos”, tha Abdiu.

Të punësuarit në kopshtin “Rinia”, të udhëhequr nga u.d. drejtori Buran Iseni, e mbështetën këtë aktivitet dhe ishin të pranishëm në protestë.

“Si ent e mbështesim këtë protestë, sepse bëhet fjalë për hapje të kazinos shumë afër kopshtit. Fëmijët, kur është koha e mirë, aktivitetet i mbajnë jashtë hapësirave, në oborr të kopshtit, dhe prandaj ne jemi kundër hapjes së kësaj kazinoje”, deklaroi Iseni.

Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Folën disa aktivistë të Lëvizjes, si dhe profesori universitar, Musa Musai.