Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së, Shefik Shehu realizoi vizitë pune në Bruksel dhe Paris
Shkup, 8 shkurt – Me ftesë të Parlamentit Evropian, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, njëherit profesor i shkencave politike në Fakultetin Juridik, qëndroi për vizitë punë në Bruksel dhe në Paris, në kuadër të programit European Union Visitors Programme (EUVP).
Siç informojnë nga Pres shërbimi i UT-së, Prorektori Shehu realizoi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian, të Komisionit Evropian, si dhe në institucionin përgjegjës për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, European External Action Service. Gjatë vizitës së tij në Paris, prorektori i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu u takua me përfaqësues të zyrës ndërlidhëse të Parlamentit Evropian, si dhe vizitoi shtëpinë-muze të ideatorit të Bashkimit Evropian, Zhan Mone.
Gjithashtu, Shehu qëndroi në selinë qendrore të NATO-s, në takim protokollar me Zyrën për diplomaci publike, udhëheqësin e sektorit për siguri energjetike, Michael Ruhle, si dhe takoi Ambasadorin e RMV-së në selinë e NATO-s, Dane Taleski.