Pronat në Butel të Shkupit, kadastra nuk ofron zgjidhje

Shkup, 19 mars – Kadastra vazhdon të neglizhojë qytetarët të cilët kanë probleme me pronat e tyre të shkaktuara pas matjeve satelitore, me të cilat shumë qytetarëve u janë bërë ndryshime të kufijve të pronave të tyre. Ljupço Vellkovski nga Buteli i cili disa muaj më parë denoncoi rastin e tij tha se Kadastra akoma nuk i ka dalë në ndihmë për të zgjidh problemin e shkaktuar nga vet Kadastra, shkruan Alsat

“Unë disa herë erdha në kadastër këtu, kërkova të më pranojë ndonjë përgjegjës që të bisedoj për këtë problem, por i punësuari tek në sportelin për paraqitje vazhdimisht më thotë se nuk ka pranim për palë, më jep disa numra të telefonave, unë paraqitem në ata numra, më paraqitet ndonjë e punësuar e cila po ashtu më thotë se nuk e din se më kë të më lidhë, më lidh nëpër zyra të ndryshme. Nuk di më ku të kërkoj zgjidhje për këtë problem”, tha Ljupço Vellkovski, banor i Komunës së Butelit

Nga Kadastra nuk pranojnë të flasin para kamerave për këto problematika, por banorëve u sugjerojnë që zgjidhjen ta kërkojnë në Gjykata.

“Nëse pjesa e tokës së përbashkët në pronësi, në të cilën përfshihen fqinjët, nuk tejkalon 5% nga sipërfaqja e të gjithë parcelës, e cila del si rezultat i teknikave të ndryshme të filmimit dhe matjes, fshihet nga fletëpronësia, me forcën e ligjit ose me kërkesë të palës. Por në qoftë se kjo pjesë e përbashkët në pronësi e tejkalon 5% e sipërfaqes së përgjithshme të parcelës, përditësimi i të dhënave kryhet me paraqitje të palës, ndaj të cilës dorëzohen edhe deklarata për pajtueshmëri, të dhëna nga bartësit e të drejtave të shkruara në pjesët ideale, ose nga trashëguesi ligjor i të ndjerit që e ka poseduar juridikisht, të verifikuara tek noteri”, tha një Kadastra

Sipas Vellkovskit, për gabim të Kadastrës, ai ka probleme me fqinjin e tij i cili rrezikon t’i zë gjysmën e rrugës së shtëpisë, të cilën e ka blerë 30 vite më parë.

“Ai e kërkon atë që ia ka dhënë kadastra pa të drejtë, e thotë se tani rruga është e tij. I tregoj dokumente se nuk ka qenë e atij, por ai më thotë se nuk ka qenë e imja por tani është e imja, kadastra ashtu ka vepruar dhe tani kjo pjesë është e imja. Ai vazhdon të shes pronën por nuk e di, do të kërkojmë zgjidhje nëpër gjykata, vetëm kjo ka mbetur nëse mund të gjejmë zgjidhje në gjykatë”, tha Ljupço Vellkovski, banor i Komunës së Butelit

Sipas banorëve të Radishanit të cilët muaj më parë e paraqitën këtë problematikë në Alsat, trojet e tyre janë zhvendosur deri në dy metra mes fqinjëve. Ata kanë treguar edhe raste kur, në mungesë të përgjigjeve konkrete nga Kadastra dhe gjetjes së zgjidhjeve, banorët kanë pasur edhe konflikte fizike në mes veti. /Alsat.mk