Promovimi i monografisë “Kodi i Prespës” nga Borjan Jovanovski

Shkup, 30 janar – Promovimi i monografisë Kodi i Prespës, Historia për “rrugën e humbur” të autorit Borjan Jovanovski, të publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, do të mbahet sot në Shkup.

Publikimin do ta prezantojnë autori Borjan Jovanovski, historiani Petar Todorov dhe Vergim Sherifi. Dorëshkrimi përmban disa intervista që flasin për vëllazëritë ndërmjet individëve dhe familjeve me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare që janë ushqyer me gjenerata në Prespë, ndërsa sot njihen si “kodi specifik i Prespës”.

“Gazetari Borjan Jovanovski, familja e të cilit e ka origjinën nga Prespa, e njohu vlerën e vëllazërisë si institucion social në jetën kulturore dhe historike të zonës, ndaj realizoi disa intervista me anëtarë të familjeve të vëllazërisë për gjenerata të tërë, me qëllim për të evidentuar këtë fenomen si një nga shtyllat e kulturës së edukimit të brezave të rinj, shembuj nga e kaluara dhe mënyra e jetesës së prespanëve si bazë për bashkëjetesë të mirë dhe respekt të ndërsjellë”, shkruan në parathënien e këtij botimi profesori Ljupço S. Risteski.

Monografia është publikuar në kuadër të projektit “Bashkëjetesa nuk është mit – mësime nga Prespa e Poshtme” i cili zbatohet nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe është pjesë e projektit “Rrjeti i Pajtimit REKOM”, financuar nga Bashkimi Evropian.

Projekti merret me kujtimet kolektive më pak të njohura dhe marrëdhëniet aktuale të bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut.

“Përkundrejt vëzhgimeve të pranuara përgjithësisht për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni si gjenerues të mundshëm të destabilitetit, ky projekt ka për qëllim komunikimin e shembujve dhe modeleve pozitive të bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, siç është rasti në rajonin e Prespës së Poshtme, i cili duhet të shërbejë si shembull dhe frymëzim për gjeneratat e sotme për të krijuar mekanizma shoqërorë që do të mundësojnë që diversiteti kulturor dhe fetar të pranohet si një shans për ndërtimin e një mjedisi shoqëror dinamik dhe të pasur kulturor”, thuhet në projekt.

Monografia do të jetë në dispozicion në gjuhën maqedone dhe shqipe.