Prokurorja Stefanova kërkon dënime më të buta për ata që e pranuan fajin për “Titanik”
Shkup, 11 shkurt – Prokurorja Lile Stefanova në seancën e sotme për rastin “Titanik” pas pranimit të fajësisë nga disa prej të akuzuarve, para gjykatës i ka paraqitur rrethanat lehtësuese dhe rënduese dhe ka theksuar zbutjen dhe kushtëzimin e dënimeve.
Duke theksuar se e respekton pranimin e fajësisë së të pandehurit Martin Protugjer, Stefanova kërkoi uljen dhe pezullimin e dënimit për shkak të disa rrethanave lehtësuese, përfshirë edhe faktin se është baba i tre fëmijëve, i papunë, me gjendje të rënduar shëndetësore.
Për të akuzuarin Mile Janakieski, i cili po ashtu e ka pranuar fajësinë, ka kërkuar nga gjykata që të vlerësohen rrethanat lehtësuese dhe t’i shqiptohet dënimi më i ulët. Stefanova kërkoi edhe zbutje të dënimeve për Gordana Jankulloskën dhe Biljana Brishkovska-Boshkoski, të cilat, gjithashtu, sot e pranuan fajin. Stefanova e ka marrë si rrethanë rënduese veprimin e Jankulloskës si ministre e Punëve të Brendshme.
Të pandehurit Munir Pepiq, Kire Todorovski dhe dy të tjerë janë gjithashtu në mesin e atyre që e pranuan fajin.
Gjykimi për Nikolla Gruevskin, Ilija Dimovskin, Kiril Bozhinovskn dhe të tjerët që nuk ndjehen fajtor vazhdon më 9 mars.
Rastin “Titanik” e udhëheq gjyqtari Osman Shabani, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja Lile Stefanova.
Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i cili është në arrati, në “Titanik” akuzohen edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Veloska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.
Ata dyshohen për bashkim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.

