Prokuroria Publike nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë Publike Evropiane
Shkup, 24 tetor – Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski sot në Luksemburg nënshkroi Marrëveshje bashkëpunimi me kryeprokuroren evropiane, Laura Kodruta Kovesi.
Dokumenti, theksohet në kumtesën e Prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka për qëllim të lehtësojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve mes dy prokurorive për të siguruar hetim dhe ndjekje efikase të autorëve të veprave penale, veçanërisht kur bëhet fjalë për keqpërdorime të mjeteve financiare nga fondet evropiane.
Me Marrëveshjen parashihet që Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Prokuroria publike evropiane të shkëmbejnë të gjitha informacionet strategjike brenda kompetencave të tyre. Prokuroria publike evropiane vendos edhe pikën e vet të kontaktit në Prokurorinë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Në këtë kohë të sfidave globale financiare dhe ekonomike me të cilat ballafaqohemi, prokuroritë publike dhe organet e hetuesisë në përgjithësi gjithashtu kanë obligim të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çdo keqpërdorim të mjeteve buxhetore. Por, krimi financiar i tejkalon kufijtë kombëtarë të shteteve dhe vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë dhe aksion të përbashkët mund të përballemi me keqpërdorimet”, tha Joveski.
Në aktin e nënshkrimit në selinë e Prokurorisë publike evropiane morën pjesë prokurori publik në Prokurorinë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhelal Bajrami dhe ushtruesi i detyrës shef i Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, Mile Prangoski.