Profesori Shasivari: Referendumi i kërkuar nga VMRO, është jashtë afatit

Shkup, 10 Shtator – Profesori Jeton Shasivari vlerëson se Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Bullgarisë dhe Maqedonisë e cila është ratifikuar dhe tashmë ka prodhuar efekte juridike kombëtare dhe ndërkombëtare, prandaj nisma për referendum e opozitës për shfuqizimin e saj, thotë ai, nuk ka bazë kushtetuese dhe ligjore dhe mbi të gjitha është jashtë afatit.

“Kërkesa është për një referendum shfuqizues apo abrogues të cilin lloj të referendumit nuk e njeh as kushtetuta jonë dhe as ligji për referendum për shkak se në nenin 24 të ligjit për referendum, edhe pse parashihet mundësia që marrëveshjet ndërkombëtare të jenë objekt i referendumit megjithatë kushti dhe detyrimi ligjor është që referendumi për marrëveshjet ndërkombëtare të organizohet para se ata të ratifikohen me ligj nga ana e parlamentit”, tha Jeton Shasivari, profesor.

Shasivari beson se në këtë linjë do të jetë edhe vendimi i Kuvendit mbi nismën.

“Mendoj se edhe parlamenti nuk do t’ia lejojë luksin vetes që të lëshohet në një situatë të mosrespektimit të marrëdhënieve ndërkombëtare që janë të sanksionuara me Kushtetutë dhe të prodhojë një pasiguri juridike ndërkombëtare për qytetarët dhe për shtetin e sidomos duke shkelur nenin 118 të Kushtetutës që përcakton që marrëveshjet ndërkombëtare që janë të ratifikuara në pajtim me Kushtetutën, janë pjesë e rendit juridik të brendshëm dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”, shtoi ai.

Shasivari vlerëson se vendi duhet të tregojë një seriozitet në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që burojnë nga cilado marrëveshje ndërkombëtare e arritur.

Pyetja e referendumit të cilin e inicion VMRO-DPMNE-ja do të jetë: A jeni për shfuqizimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë të publikuar në Gazetën Zyrtare të datës 18.01.2018?