Producentja dhe aktorja kryesore e serialit “Rrushe” tregon pse janë vendosur titrat

Mediumi “Top Channel” ditë më parë kur prezantoi serialin kosovar “Rushe” i vendosi edhe titra, gjë që nxiti reagime të shumta sidomos në Kosovë.

E në lidhje me këtë ka reaguar Doresa Rexha, producente dhe aktorja kryesore e këtij seriali, e cila ka thënë se arsyeja pse është bërë tritimi ka qenë që personat të cilët nuk dëgjojnë të kenë mundësi ta shijojnë, raporton Zeri.info.

Ajo ka thënë se në serial përdoret edhe “slangu e lokalizmat” të cilët nuk mund të kuptohen nga të gjithë.

“Duke parë debatet që ka ngjallur titrimi i serialit “Rrushe” në Top Channel, mund të them që arsyeja kryesore pse kemi vendosur të kemi titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë apo personat me dëgjim të dëmtuar. Veç kësaj, ata që e kanë parë serialin, e kanë vërejtur që për hir të origjinalitetit, në serial, përveç gjuhës dialektore, përdoren edhe lokalizmat, zhargoni, “slang”-u, etj., që jo domosdo kuptohet nga të gjithë, prandaj është menduar që titrimi për transmetim në Top Channel të bëhet sa më afër gjuhës standarde, në mënyrë që çdo detaj i dialogjeve të kuptohet nga gjithë audienca shqiptare, siç është praktikë në shumë vende të botës me diversitet gjuhësor”, shkroi ajo në Facebook.